Ngritja e anti-liberalizmit, kriza e vërtetë e rendit global

schedule10:07 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 10:07 - 21 Dhjetor, 2021

Nga Alexander Cooley & Daniel H.Nexon “Foreign Affairs

Zgjedhja si president e Donald Trump në vitin 2016, shkaktoi një debat të madh mbi natyrën dhe fatin e rendit ndërkombëtar liberal, i kapur papritmas midis “Karibdës”së sfiduesve jo-liberalë ndaj fuqive të mëdha dhe “Shillës” së një presidenti amerikan armiqësor ndaj këtij rendi.

Trump mund ta ketë humbur presidencën në vitin 2020, por rendi liberal mbetet i kërcënuar. Gjithsesi, ngjarjet e fundit kanë nënvizuar përmasat e sfidave me të cilat përballet ky rend dhe më e rëndësishmja, këto sfida janë vetëm një nga aspektet e një krize shumë më të gjerë që rrezikon vetë liberalizmin.

Për dekada pas Luftës së Dytë Botërore, fraksionet dominuese si në Partinë Demokratike ashtu edhe në Partinë Republikane, ishin të përkushtuara ndaj projektit të krijimit të një rendi ndërkombëtar liberal të udhëhequr nga SHBA.

Ata e panë Uashingtonin si një kryeqendër të ndërtimit të një bote të organizuar të paktën pjesërisht rreth shkëmbimeve të tregut dhe pronës private; mbrojtjen e të drejtave politike, civile dhe të njeriut; epërsinë e demokracisë përfaqësuese; dhe shteteve sovrane formalisht të barabarta, që punojnë shpesh përmes institucioneve shumëpalëshe.

Pavarësisht gabimeve të tij, rendi që do të shfaqej pas Luftës së Ftohtë, nxori miliona njerëz nga varfëria dhe çoi në një përqindje rekord të njerëzimit që jetonte nën qeveritë demokratike. Por gjithashtu ai e bëri më të vështirë përhapjen e trazirave nga niveli kombëtar ndërkombëtar.

Lojtarët kryesorë në demokracitë e konsoliduara, sidomos në Evropë dhe Amerikën e Veriut, supozuan se ulja e barrierave ndërkombëtare do të lehtësonte përhapjen e lëvizjeve dhe vlerave liberale. Kjo ndodhi për një farë kohe, por sot rendi ndërkombëtar favorizon një grup të larmishëm forcash jo-liberale, përfshirë shtetet autoritare, si Kina.

Këto të fundit e refuzojnë demokracinë liberale, ndërsa populistët reaksionarë dhe autoritarët konservatorë pozicionohen si mbrojtës të vlerave tradicionale dhe kulturave kombëtare, teksa në të njëjtën kohë përmbysin gradualisht institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës.

Menjëherë pas inaugurimit të tij në detyrë, presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden filloi të fliste për “një betejë midis dobisë së demokracive në shekullin XXI dhe autokracive”. Por çdo analist amerikan duket se bie dakord se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjidhin së pari problemet e tyre të brendshme, për të konkurruar me efektivet me fuqitë e mëdha autoritare, dhe për të çuar përpara kauzën e demokracisë në skenën globale.

Shtetet e Bashkuara janë sot një nga demokracitë perëndimore më të polarizuara, por konfliktet dhe tensionet e saj politike janë manifestime të proceseve më të gjera ndërkombëtare. Për shembull, e djathta reaksionare e SHBA-së, është e lidhur me një sërë rrjetesh globale që përfshijnë si lëvizjet politike opozitare po ashtu edhe regjimet qeverisëse.

Një gamë e gjerë zhvillimesh – të gjitha u përshpejtuan gjatë 3 dekadave të fundit – e kanë bërë botën më të dendur me flukse dijesh dhe ato tregtare, përfshirë zgjerimin e tregjeve, de-rregullimin e ekonomive, lëvizjen më të lehtë të kapitalit, komunikimet satelitore dhe mediat dixhitale.

Njerëzit janë më të vetëdijshëm për atë që po ndodh në pjesë të ndryshme të botës. Rrjetet politike formale dhe jo-formale transnacionale – të kufizuara gjatë Luftës së Ftohtë-e kanë rritur peshën dhe ndikimin e tyre. Këto ndryshime e ngatërruan jo pak peizazhin gjeopolitik që u shfaq pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Asnjë rend ndërkombëtar i vetëm dhe uniform nuk e zëvendësoi rendin ndërkombëtar të Luftës së Ftohtë, që kishte 2 shtresëzime. Pavarësisht shpresave nga politikanët neoliberalë, ky rend nuk u bë kurrë “i sheshtë”. Përkundrazi, rendi ndërkombëtar që mori formë nga fundi i shekullit ishte shumë i larmishëm.

Shumë nga regjimet e reja demokratike që u shfaqën në vitet 1990 ishin vetëm disi demokratike. Optimistët i shpërfillën shenjat e hershme të institucioneve të dobëta liberale demokratike, duke i parë ato vetëm si disa “të meta të përkohshme” në rrugën drejt demokratizimit të plotë.

Por në drejtim të lindjes në të gjithë Euroazinë, regjimet u bënë gjithnjë e më shumë të larmishme. Ndërkaq, disa shtete si Kina arritën të përfitonin nga rendi ekonomik liberal pa pranuar kërkesat e liberalizmit politik. Autokratët bashkëkohorë janë të vetëdijshëm mbi fuqinë e imazhit.

Ata po i përdorin teknologji të reja dhe platformat e mediave sociale për të ndërtuar profilin e tyre globale, dhe për të ngritur pozicionin e tyre me audiencën vendase dhe ndërkombëtare. Po ashtu ata përpiqen të ndikojnë tek politikë-bërësit në demokracitë liberale, duke financuar think-tanket apo sponsorizuar “turnetë studimorë”.

Teknologjitë dixhitale mundësojnë instrumente të reja të shtypjes vendase dhe transnacionale. Atu u kanë dhënë mundësinë vendeve të fuqishme (si Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia) por edhe atyre më të dobëta (si Bjellorusia, Ruanda dhe Taxhikistani) të përshkallëzojnë fushatat për të monitoruar, frikësuar dhe mbyllur gojën kundërshtarëve të tyre politikë që gjenden në mërgim.

Edhe institucionet ndërkombëtare, janë duke u përkulur ndaj vullnetit të liderëve autoritarë. Nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, Kina ka tentuar në mënyrë agresive të kufizojë kritikat ndaj vendit të tij në forumet e OKB-së për të drejtat e njeriut. Por kërcënimi ndaj demokracive liberale vjen gjithashtu nga brenda.

Rendi liberal bazohet tek Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Por tek të dyja gjallojnë disa prej forcave më të fuqishme dhe potencialisht më konsekuente të anti-liberalizmit. Në përgjithësi, ato marrin dy forma:veprimet jo-liberale që ndërmarrin vetë qeveritë demokratike liberale në përpjekje për të kundërshtuar kërcënimet e perceptuara, dhe forcat antidemokratike që shihen tek lëvizjet politike, partitë dhe politikanët jo-liberalë.

Administrata e Joe Biden e ka shpallur me të drejtë korrupsionin si një rrezik të sigurisë kombëtare. Por masat kundër korrupsionit do të frymëzojnë një goditje që paraqet gjithashtu një shqetësim për sigurinë kombëtare. Masat agresive do të kërcënojnë oligarkët e lidhur politikisht në Evropë dhe gjetkë.

Hapat e rëndësishëm për ruajtjen e liberalizmit, do të shkaktojnë veprime kundër rendit liberal, dhe jo vetëm nga jashtë. Populizmi reaksionar në SHBA, është një manifestim specifik i një tendence globale. Ndaj për të mbrojtur demokracinë liberale, Uashingtonit do t’i duhet të mbajë një qëndrim për sa i përket politikës së brendshme të vendeve të tjera.

Biden dëshiron të ndërtojë një koalicion të demokracive nën udhëheqjen e SHBA-së, për të përballuar sfidën e rritjes së jo-liberalizmit dhe veçanërisht për të kundërshtuar përpjekjet kineze dhe ruse për të rindërtuar rendin ndërkombëtar përgjatë vijave më autokratike.

Por zhvillimet globale nuk janë në favor të administratës. Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, por Kina po e sfidon ndikimin e SHBA-së mbi rendin ndërkombëtar, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe nëse rritja e saj ekonomike mbresëlënëse bie në stanjacion.

Shtetet e Bashkuara nuk mund të mendojnë realisht që t’i mposhtin sfidantët e tyre aktualë autoritarë në një luftë totale, pasi kjo me gjasë do të shkaktonte një luftë bërthamore me pasoja katastrofike. Sfidantja e saj më e rëndësishme Kina, është një lloj shteti shumë i ndryshëm nga ai që ishte Bashkimi Sovjetik. Kina është e pasur dhe relativisht dinamike, dhe ndonëse ka pjesën e saj të problemeve strukturore, nuk është plotësisht e qartë nëse mangësitë e saj janë më të këqija se ato të Shteteve të Bashkuara.

Pra, asnjë nga rrugët historike drejt fitores ideologjike të liberalizmit nuk duket e mundshme. Kjo do të thotë se demokracitë liberale duhet të supozojnë se nuk do ta rimarrin dot së shpejti vendin që kishin dikur në rendin ndërkombëtar. Kësisoj çështja nuk është nëse rendi liberal do të ndryshojë, por sipas kushteve të kujt. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime
Shënim:Alexander Cooley, drejtor i Institutit Harriman të Universitetit të Kolumbias. Daniel H.Nexon, profesor në Shkollën e Shërbimit të Huaj në Universitetin Xhorxhtaun.