Ngriti një “perandori” nafte në Shqipëri, kush është Rezart Taçi, borxhet dhe arrestimi në Zvicër

schedule09:19 - 12 Nëntor, 2021

schedule 09:19 - 12 Nëntor, 2021

Biznesmeni Rezart Taçi është shpallur në kërkim nga policia për një skemë mashtrimi dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Kush është Rezart Taçi.

Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe vende të tjera. Gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër ai bleu ARMO-n, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri.

Ai u kthye në një nga biznesmenët kryesorë për karburantet. Taçi bleu pas disa kohësh dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të kohës, “TV Alsat”. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.

Në vitin 2016 Taçi u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.

Ky hetim, kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”, të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!