Ngrihet aktakuzë ndaj 13 personave për incidentin vdekjeprurës në Novi Sad

schedule14:25 - 30 Dhjetor, 2024

schedule 14:25 - 30 Dhjetor, 2024

Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit të Serbisë, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, Jelena Tanaskoviq, në lidhje me aksidentin tragjik në stacionin hekurudhor muajin e kaluar.

Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 15 njerëz të vdekur dhe dy të lënduar.

Prokuroria në Novi Sad tha në një komunikatë të hënën se 13 të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si, krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Aktakuza është ngritur pas përfundimit të hetimeve për shembjen e strehës, sipas Prokurorisë.

Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina.

Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!