Natyrisht fjala “titull” është tepër e madhe për këtë ekip.
Elbasani këtë sezon nuk është as Egnatia, as Dinamo apo Vllaznia, por gjithsesi, matematika e lejon të shpresojë fort për vendin e katërt.
Fitorja në Laç bëri që skuadra e trajnerit Ivan Gvozdenoviç të jetë përkohësisht 4 pikë larg Partizanit, kur ka për të luajtur edhe 5 javë deri në fund të fazës së rregullt të Superligës.
Nëse arrin katërshen, merr pjesë në plej ofin për titull, pra mund t’ia dalësh.
Në Kurbin vendosi një autogol nga Shabani në minutën e 37-të, e duhet thënë se Elbasani ishte me fat.
Vendasit luajtën më mirë dhe patën më shumë raste, por nuk shënuan dot asnjëherë.
Elbasani ka 40 pikë dhe të paktën 5 ndeshje pa u mundur.
Edhe më shumë dramatike përballja në “Arenën Kombëtare” mes Tiranës e Bylisit.
Dueli direkt për mbijetesë përfundoi 2-2, dhe miqtë nga Mallakastra mund të ndihen më të kënaqur, ndonëse për pak braktisën ndeshjen.
Arli Përgjoni kaloi Bylisin në epërsi në 26’, por Përgjoni tjetër, Floriani, I dha barazimin Tiranës pas 14 minutave.
Në 68’, arbitri Koçi dha penallti për kryeqytetasit, por ekipi nga Ballshi protestoi ashpër.
Madje, u arrit për disa minuta braktisja e fushës, ndonëse më pas ndeshja vazhdoi.
Zharmuni e ktheu 11-metërshin në gol në 76’, por Bylisi nuk u dorëzua dhe barazoi falë Darko Ilieskit në 82’.
Tirana është në vendin e 8-të me 32 pikë, mallakastriotët mbeten të 6-ët me 33./abcnews.al