Ngjarja në Kurbin, SHÇBA: Vëllezërit Fufi i bënë pritë policit, efektivi bëri qitje të pakontrolluar

schedule08:58 - 14 Prill, 2021

schedule 08:58 - 14 Prill, 2021

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka dhënë detaje për ngjarjen e  ndodhur një ditë më parë në Mamurras, ku mbetën të plagosur tre persona, dy prej të cilëve efektiv të policisë.

Lidhur me këtë janë arrestuar katër persona si të përfshirë. I arrestuar është edhe polici i patrullës në Mamurras David Madani , i cili qëlloi me armë duke lënë të plagosur dy kolegët e tij dhe personin tjetër të përfshirë në konflikt. Gjithashtu të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje janë edhe Gjon Fufi, Rudolf Fufi dhe Nikoll Fufi (Vorfi) i cili mbeti i plagosur me sende të forta në vendin e ngjarjes.

SHÇBA shpjegon se ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.

Më pas, rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta.  Sipas SHÇBA tre personat goditën me sende të forta,  punonjësin e policisë David Madani, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë Ilir Zekaj  dhe Flamur Lleja. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm.

Siç shpjegon SHÇBA  polici i arrestuar akuzohet për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

Njoftimi i plotë: 

Kurbin – SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka arrestuar 1 punonjës policie dhe 3 shtetas të tjerë në lidhje me ngjarjen e djeshme, ku mbetën të plagosur 3 persona.

Në datë 13 prill 2021 në Qendër Mamurras, rreth orës 13:50, tre shtetas kanë goditur me sende të forta, një punonjës policie, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin N.V. dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë I.Z. dhe F.LL. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm.

Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambjentet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.

Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë D.M. ka qëlluar me armë duke plagosur personat e sipërpërmendur.

SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka kryer veprimet hetimore të nevojshme dhe në 13.04.2021 u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve:

–  GJ. (G) F., 40 vjeç, lindur e banues në Mamurras;

–  N.V. (M.F.), 36 vjeç, lindur e banues në Mamurras;

– R.S. (F), 31 vjeç, lindur e banues në Mamurras.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë D.M. si dhe automjeti tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes.

Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore dhe pasojat e ardhura nga përdorimi i armës së zjarrit, u bë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor D. M., 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!