Ngjarja në Komisariatin e Kavajës, akuza e fortë e deputetit të PD: Nuk u vetëvra, vdiq nga dhuna e policisë

schedule21:00 - 4 Maj, 2022

schedule 21:00 - 4 Maj, 2022

Lidhur me ngjarjen e rëndë në Komisariatin e Kavajës ku ka vrarë veten i ndaluari Ilvi Meta 31-vjeç, ka reaguar edhe deputeti demokrat Dashnor Sula.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti demokrat hedh akuza të forta në drejtim të policisë.

Sipas tij i riu nuk është vetëvarur por ka ndërruar jetë pas dhunës barbare të policisë.

Sula ndërkohë i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet ndaj kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë

Postimi i Sulës:

Kavaja u trondit pasditen e sotme nga një ngjarje e rëndë ku sipas raportimeve të para një 28 vjeçar me inicialet I.S ka ndërruar jetë në ambientet e Komisariatit të Policisë së Kavajës.

Burimet më konfirmojnë se i riu nuk ka vrarë veten por ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës barbare që kanë ushtruar punonjësit e policisë.

I bëj thirrje Prokurorisë që të zbardhin ngjarjen me profesionalizëm dhe pa lejuar manipulimin e provave. Opozita po ndjek me vëmendje ngjarjen dhe inkurajojmë organin e akuzës që të bëjnë punën në mënyrë të pavarur.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!