E paralajmëroi Balla për të marrë votat e opozitës parlamentare, PD kundër hapjes së listave

schedule14:59 - 9 Korrik, 2020

schedule 14:59 - 9 Korrik, 2020

Palët kanë hasur në një tjetër ngërç sa i takon marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Pasi Partia Socialiste i hapi rrugë propozimit të opozitës parlamentare për hapjen e listave, Partia Demokratike ka dalë kundër.

Me anë të një deklarate, PD thotë se hapja e diksutimit për sistemin zgjedhor në këtë moment është vetëm një alibi e Ramës që synon të vonojë kodifikimin e marrëveshjes së arritur në datë 5 qershor.

PD deklaron se çdo veprim i njënanshëm në këtë drejtim përbën prishje të marrëveshjes konsensuale me pasoja në dëm të të ardhmes europiane të vendit.

“Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret.

Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut.

Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë” deklaron PD-ja.

Kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se mazhoranca është gati të diskutojë hapjen e listave, për të arritur një marrëveshje me opozitën parlamentare.

Nga ana tjetër e ka kushtëzuar votën e saj për Zgjedhoren me zgjidhjen e kësaj pike, që sipas saj do t’i kthejë shqiptarëve votën e lirë dhe të ndershme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!