Ngërçi me RMV, Ambasadori i Bullgarisë: I keni bërë detyrat për në BE, shpresojmë të kaloni klasën në dhjetor

schedule10:08 - 6 Nëntor, 2021

schedule 10:08 - 6 Nëntor, 2021

Ambasadori Bullgar në Shqipëri, Momtchil Raytchevski në një vizitë në Bashkinë e Librazhdit tha për ABC se Shqipëria në rrugëtimin për integrimin në BE, shpreson ta kalojë klasën në dhjetor, pasi sipas tij i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë.

Deklarata u bë pas një takimi me Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra, ku i shprehu ambasadorit rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe bashkëpunimit në kuadrin e BE.

Në Librazhd është një komunitet banorësh nga Stëbleva, ku sipas përfaqësuesve bullgarë i përket pakicave të Bullgarisë dhe se banorët do të mbështeten me projekte të ndryshme nga ana e qeverisë së Bullgarisë kryesisht ne turizëm e infrastrukturë.

Kujtojmë se Bullgaria është bërë pengesë në integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Bisedimet bullgaro-maqedonase mbi gjuhën, historinë dhe kulturën e Maqedonisë së Veriut kanë ngecur dhe eventualisht mund të vazhdojnë pas formimit të institucioneve të reja në Sofje pas zgjedhjeve parlamentare të 11 korrikut.

Bullgaria e konteston gjuhën maqedonase, të cilën e llogaritë si dialekt të dalë nga bullgarishtja apo si gjuhë e koduar në vitin 1945 nga autoritetet jugosllave të kohës, ndërsa kërkon që Shkupi të heqë dorë nga kërkesat për një pakicë maqedonase në rajonin e Pirinit në Bullgari dhe të njohë historinë e identitetin e figurave kombëtare bullgare, për të cilat Maqedonia e Veriut pretendon se kanë identitet maqedonas.

/abcenews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!