Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka falënderuar ministren e Arsimit Besa Shahini për shtyrjen e zgjedhjeve në institucionet e arsimit të lartë.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale Koni falënderon Ministren e Arsimit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve por ndërkohë ai shkruan se përgatitjet do të vijojnë pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve nga Ministria.
Ndërkohë ministria e Arsimit në urdhrin e sotëm kërkon nga universitetet që “të vijojnë me përgatitjen e zgjedhjeve me qëllim zhvillimin e tyre menjëherë pas përcaktimit të datave përkatëse”.
Kështu, me sa duket përplasja mes Konit dhe Ministrisë së Arsimit ka krijuar një konflikt të ri.
Postimi i Konit:
“Si Rektor i Universitetit të Tiranës, shpreh falenderimet dhe njëkohësisht përgëzimet e mia, për Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për nxjerrjen e Urdhërit nr.108 datë 08.05.2020, me të cilin, shtyhet data e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e Covid 19.
Pas përcaktimit të datave nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për hapjen e procesit zgjedhor dhe datës së zhvillimit të zgjedhjeve, ju siguroj se autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, do të vijojnë në mënyrë të menjëhershme me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre sipas të gjitha hapave dhe procedurave ligjore, të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve.
Procesi zgjedhor që do të zhvillohet në Universitetin e Tiranës, do të përmbushë të gjitha parimet kushtetuese; do të zbatojë ligjin e arsimit të lartë 80/2015 dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi; do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës”.
/abcnews.al