Dosja e e grabitjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit, e ndodhur më 3 Dhjetor të 2015-ës është futur në një ngërç të madh.
Këtë të premte në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca për 8 të pandehurit e kësaj dosje shtyhet për të 25-ën herë radhazi, duke bërë që të mos nisë shqyrtimi i tyre në themel, proces ky i nisur që në muajin qershor të vitit të kaluar.
Shkak i seancave maratonë e të shtyra njëra pas tjetrës janë bërë mungesat e avokatëve, si dhe kërkesat e tyre vazhdueshme për ndryshim të trupës gjykuese për shkak të konflikteve të interesit mes palëve.
Nga ana tjetër, më datë 18 mars pritet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të dalë me një vendim përfundimtar për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Nure Dreni, e nëse kjo e fundit shkarkohet nga Vettingu, mundësia që procesi në fjalë të çoj drejt lirimit Dash Kupën, Ernest Kupën, Neim Avdylajn, Ditjon Memlikën, Admir Çerpjan, Fatjon Xhyliun, Dritan Sinanin dhe Aleksandër Muratajn, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.
Grupi i grabitjes spektakolare u dënua me 107 vite burg në total nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në 26 Mars të 2019-ës.
Dash Kupa u dënua me 18 vjet burg, me 17. 4 vite u dënua Ernest Kupa, Neim Avdylaj me 17.4 vite, Ditjon Memlika me 8.6 vite heqje lirie, Admir Cerpja me 5.8, Fatjon Xhyliu me14 vite burg, Dritan Sinani me 13.4 vite, si dhe Aleksandër Murataj me 12.8 vite burg.
Pjesë e kësaj dosje ishte edhe Admir Murataj i cilësuar si kreu i grupit, i cili mbeti vrarë në grabitjen e ndodhur më 9 Prill brenda pistës së aeroportit të Rinasit, si organizator i po kësaj ngjarje. /abcnews.al