Nga Vokshi tek Këlliçi, PD kallëzon në SPAK pesë mbështetësit e Berishës për përdorimin e vulës e simboleve

schedule11:45 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 11:45 - 13 Dhjetor, 2021

Partia Demokratike ka ndërmarrë hapa ligjor kundër funksionarëve të sapo shkarkuar të saj të cilët morën pjesë në “Kuvendin Kombëtar” të Sali Berishës më 11 dhjetor. Konkretisht PD ka kallëzuar në SPAK përfaqësues të lëvizjes Berisha për falsifikimin e vulës së PD, deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso e Ervin Minarolli.

Sipas PD-së, bëhet fjalë për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.

Në kallëzim drejtuar SPAK-ut thuhet se këta persona që kanë pasur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit, dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore.

PD e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi 3 nga të kallëzuarit janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Sjellim ndërmend se dje Këshilli Kombëtar i PD-së shkarkoi nga funksionet 10 anëtarë të Kryesisë, me 251 vota pro nga 257 që votuan, duke nisur nga Edi Paloka dhe më pas me anëtarët dhe sekretarët e Kryesisë së PD. Megjithatë nga ana tjetër Sali Berisha dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar si “nul” veprimet e Bashës, pasi sipas tyre ai u shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Në PD ka nisur një luftë e brendshme që prej shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar me vendim të Lulzim Bashës, pasi ai u shpall më herët “non grata” nga SHBA.

Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe u shkarkuan:

Edi Paloka (Kryetar i Këshillit)

Anëtarët e kryesisë

Flamur Noka

Aldo Bumçi

Gent Strazimiri

Albana Vokshi

Oerd Bylybashi

Sekretarët

Ervin Minarolli

Ivi Kaso

Belind Kelliçi

Ledina Mandia

Nga ana tjetër ish-kreu i PD-së Sali Berisha thotë se ky vendim për të denoncuar në SPAK 5 demokratë është marrë me këshillën dhe mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, Basha ka prekur fundin e tij politik dhe moral. Berisha thekson se Shqipëria nuk meriton një opozitë fasadë.


Postimi i Berishës: 

Opozita nuk është as vulë as bravë!

I tmerruar nga vendimi për shkarkimin me 4446 vota në Kuvendin e Partisë Demokratike datë 11.12.2021 pengu i Edi Ramës vendosi që me këshillën dhe mbështetjen e pengmarrësit të tij të padisë sot në SPAK vullnetin e mijëra demokratëve të shprehur masivisht kundër tij, si asnjëherë më parë në historinë e Partisë Demokratike!

Ky veprim i dëshpëruar për të kërkuar ndihmë tek Edi Rama dhe falangat e tij në drejtësi provon dhe një herë faqe botës se arsyeja e vetme përse PD kalon prej vitesh nga humbja në humbje është pazari i peng-Bashës me Edi Ramën!

Akte të tilla tregojnë se ish lidershipi i PD-së ka prekur fundin e tij politik dhe moral.

Lulzim Basha ka humbur zgjedhjet, ka humbur qytetarët, ka humbur demokratët, ka humbur delegatët, ka humbur strukturat dhe vetë Partinë Demokratike, por i gënjen mendja se do mund të vazhdojë pazaret dhe marrëveshjet e fshehta me Edi Ramën me vula dhe brava!

Është i pashpresë!

Koha kur kauzat e qytetarëve dhe sakrificat e demokratëve blatoheshin si kurban në altarin e pazareve të tij me Edi Ramën ka marrë fund më dt 11.12.2021! Shqipëria nuk meriton dhe nuk do të ketë kurrë më një opozite dhe pluralizëm fasadë!

Kuvendi Kombëtar, si forumi më i lartë i partisë ka miratuar vulën dhe logon e re të Partisë Demokratike, e cila në vetvete mbart simbolet e 11 dhjetorit 1990. Këto simbole mbajnë historinë, djersën dhe gjakun e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar deri në akte sublime për vlerat e lirisë, fjalës dhe konservatorizmit. Këto vlera që ne i kemi mbrojtur dhe vazhdojmë t’i mbrojmë fort, u përballën me forcat e errëta të diktaturës dhe nuk humbën, por u rikthyen më të fuqishme . Aq më pak do mundet ti zhbëjë drejtësia e kontrolluar nga Rama i cili tashmë është rreshtuar fort dhe zellshëm në krah të atyre që me veprime korruptive tentuan të çojnë drejt shkatërrimit Partinë Demokratike.

Karrigethyeri i Edi Ramës dhe gaztorët e tij do marrin përgjigjen përfundimtare nga vota e dhjetëra mijëra demokratëve ne referendumin që do zhvillohet në dt 18.12.2021.

Ftojmë të gjithë demokratët të punojmë bashkë çdo ditë, orë e sekondë deri kur të kemi një Parti Demokratike të vlerave konservatore, më të fortë me te hapur më të bashkuar dhe mbi te gjitha SOVRANE dhe FITUESE!

Komisioni për Rithemelimin e PD-së

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!