Nga vjedhjet tek Putin/ Ngjitja e jashtëzakonshme e kreut të Wagner, djali nga Leningradi eci në biznes mes elitës ruse dhe lidhjeve me Kremlinin

schedule11:49 - 24 Gusht, 2023

schedule 11:49 - 24 Gusht, 2023

62 vjeçari Yevgeny Prigozhin, i lindur në Leningrad, ose Shën Petërburg i sotëm bëri një udhëtim jete të jashtëzakonshëm që e çoi atë nga i burgosur në shitësin e hot-dogëve në restorant elegant dhe më pas nga luftërat propagandistike në fushat e frikshme të betejës në Ukrainë.

Fëmijë dhe adoleshent ishte i familjarizuar me burgun pas vjedhjeve që kryente. Në vitin 1990, pasi kreu dënimin e tij, nis punën si shitës ambulant hotdogësh. Shumë shpejt ai arriti të hapë një zinxhir restorantesh, kompani shërbimi kateringu të quajtur Konkord si dhe kazino.

Po në atë vit, ai u njoh me presidentin rus, Vladimir Putin, që asokohë ai punonte në Bashkinë e Shën Pjetërburgut. Pronari i një restoranti të nivelit të lartë, ai fitoi sipërmarrjet e hotelierisë në Kremlin që i dhanë pseudonimin “kuzhinieri i Putinit”, por ai njihej kryesisht vetëm në qarqet e rralla të elitës.

Duke përfituar nga njohja e elitave dhe sidomos kur Putin u bë president i Rusisë, Prigozhin u pasurua, duke fituar kontrata fitimprurëse hotelerie dhe ndërtimi me qeverinë ruse.

Bizneset e tij të hotelierisë u zgjeruan ndjeshëm dhe në vitin 2010, Putin ndihmoi në hapjen e fabrikës së Prigozhin, e cila u ndërtua me kredi bujare nga një bankë shtetërore. Vetëm në Moskë, kompania e tij Concord fitoi miliona dollarë në kontrata për të ofruar ushqime për shkollat ​​publike.

Përmes lidhjeve të forta, në vitin 2014 Prigozhin ndërtoi një forcë mercenare të njohur si “Wagner”. Po atë vit nisi edhe aneksimi i Krimesë nga Rusia. Nuk dihet shumë për formimin e Grupit Wagner teksa roli i Prigozhin u mbajt një sekret shtetëror për shumë vite.

Fillimisht Wagner kishte rreth 5 mijë efektive, kryesisht ish-ushtarak profesionist. Numrat e tyre u rritën në mënyrë të ndjeshme gjatë luftës në Ukrainë duke shkuar deri në 50 mijë anëtarë. Mercenarët e grupit të tij Wagner hynë në luftën e Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, duke u bërë famëkeq për luftimet e tyre gjakatare.

Mercenarët e Wagnerit kanë luajtur rol kyç në Mariupol dhe më pas në Bakhmut, një qytet kryesor për transportin në rajonin e Donjeckut. Ky ka qenë vendi i luftimeve më të zjarrta që zgjati disa muaj duke shkaktuar numër të madh të viktimave nga të dyja palët.

Por kreu i Wagner Prigozhin ndryshoi qasjen ndaj menaxhimit të luftës në Ukrainë. Ai filloi të akuzonte udhëheqjen ushtarake të Rusisë, duke e fajësuar atë për dështimin për të siguruar municion të mjaftueshëm për forcat e tij.

Më 23 qershor, forcat e tij u larguan nga Ukraina dhe kapën selinë ushtarake në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don. Ai i urdhëroi ata të niseshin drejt Moskës, duke thënë se “nuk ishte një grusht shteti ushtarak, por një marshim drejtësie” për të rrëzuar ministrin e mbrojtjes Shoigu.

Por Prigozhin e anuloi veprimin më pak se 24 orë më vonë pas një marrëveshje të arritur me presidentin e Bjellorusisë Alexander Lukashenko. Aleati më i ngushtë i Putin i garantoi kreut të Wagner, Prigozhin, siguri në vendin e tij, ndërsa ky i fundit do të tërhiqte forcat.

Në një fjalim televiziv, Putin ishte zotuar të ndëshkonte ata që qëndronin pas kryengritjes së armatosur të udhëhequr nga mbrojtësi i tij i dikurshëm. Ai e quajti rebelimin një “tradhti” .
Fillimisht u raportua se kreu i Wagner ishte në Bjellorusi. Mirëpo vetëm para disa ditësh ai u shfaq në një video 40 sekonda qe u tha se ishte në Afrikë.

“Ne po punojmë edhe pse është 50 gradë, ashtu na pëlqen ne”, ishin fjalët e fundit të shefit të Jevgeni Prigozhin nga Afrika./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!