Nga vaksinimi me detyrim te kufizimet në lëvizje, të gjitha vendimet e sotme të Komitetit të Ekspertëve

schedule14:15 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 14:15 - 2 Dhjetor, 2021

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot që të aplikojë vaksinim me detyrim për disa kategori të tjera krahas pedagogëve dhe studentëve. Sipas vendimit të sotëm, të gjithë punonjësit e marketeve; qendrave tregtare dhe ata të administratës publike duhet të vaksinohen deri më datë 31 dhjetor.

Në rast të kundërt, secili prej tyre do të duhet që duke filluar nga 4 janari të dorëzojë cdo pesë ditë një test PCR-je negativ për të vijuar punën normalisht.

Masat:

1. Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
2. Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
3. Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet:
Afrikë e Jugut
Kenia
Angola
Zambia
Bostëana
Senegal
duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.

Gjatë fjalës së saj Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se Shqipëria po ndjek në vazhdimësi situatën me variantin e ri, nisur edhe nga masat që kanë marrë vendet e tjera kur ai është shfaqur në to.

Ndërkohë, Silva Bino theksoi se gjatë 3-4 javëve të fundit është vëerejtur një situatë e stabilizuar në lidhje me infektimet dhe fatalitetet. Ajo shprehur shqetësimin në lidhje me rastet e reja në moshat e vogla si edhe tek të rinjtë.

“Nuk kemi një rritje të rasteve, përkundrazi kemi ulje të tyre. Prandah themi që kemi situatë të qendrueshme në vend. Edhe pozitiviteti është pak a shumë i njëjtë. Kemi një rritje të infektimeve në moshat e reja, kryesisht në ato pediatrike, 0-4 dhe 5-14 vjeç. Kjo lidhete dhe me disa vatra që kemi patur në disa shkolla që janë menaxhuar siç duhet”, tha Bino duke iu referuar disa shkollave në Tiranë dhe rrethe, në të cilat janë konstatuar vatra infeksioni të koronavirusit.

Në lidhje me dozën e tretë, Bino tha se ka filluar si proces edhe ka të njëjtën ecuri si edhe doza e parë dhe e dytë. /abcnews.al