Padyshim shkroi historinë me Kombëtaren tonë dhe këtë e bëri brenda 1 faze eleminatoresh. Braziliani Sylvinho e vërtetoi më së miri në stolin e “legjionarëve” tanë, që është një “strateg” i vërtetë në këtë sport, teksa menjëherë solli brenda Kombëtares frymën e grupit dhe harmoninë mes lojtarëve.
Të enjten, që sapo lamë pas, tekniku brazilian dha edhe një intervistë për një nga mediat kosovare, nga ku foli për edicionin e suksesshëm eliminator Euro 2024, por edhe pritshmëritë për Europianin e Gjermanisë. Sylvinho komentoi çështjen Broja dhe la derën e hapur për të gjithë futbollistët shqiptarë, qofshin ata edhe të Kosovës.
Intervista e plotë e teknikut Sylvinho:
Si ju erdhi ftesa për të drejtuar Shqipërinë?
Më telefonuan të haja një drekë me presidentin e Federatës së Shqipërisë në Milano dhe shkova menjëherë. Në Milano kam jetuar 5 vite dhe shkova menjëherë për të shkëmbyer idetë e konceptet, por mbi të gjitha për t’u njohur. Disa ditë më vonë pashë një mundësi reale për të firmosur një kontratë me Shqipërinë. Pashë që kishte futbollistë të mirë, kushte shumë të mira pune, qendër sportive dhe thashë po, pse të mos e provoj këtë eksperiencë.
Si ndiheni pas kualifikimit?
Si e vlerësoni arritjen me Kombëtaren Kuqezi?
Lojtarët kanë bërë shumë mirë dhe janë ata protagonistët e vërtetë. Kanë kuptuar shumë shpejt idenë e mënyrës së lojës, por nuk dua të flas shumë për taktikën dhe skemat e lojës. Dua të ndalem mbi të gjitha te shpirti i skuadrës. Ata kanë kuptuar idenë dhe që nga ndeshja e parë kanë qenë aty, shumë të fortë në fushë. Një ëndërr për të gjithë ne, e bukur për t’u jetuar.
Keni arritur shumë suksese të mëdha në karrierë, por çfarë do të vlerësonit më shumë te Shqipëria?
Si futbollist kam bërë një rrugëtim shumë të rëndësishëm, me klube të mëdha, në Champions. Mendoj se si trajner ka qenë një sfidë shumë e vështirë. Ishte e vështirë të siguronim kualifikimin, por jam i lumtur.
Cili ishte dueli më i vështirë dhe më i lehti gjatë eliminatoreve?
Për ne nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha ndeshjet janë të vështira për ne, për t’i përgatitur. Gjatë rrugëtimit prej 8 ndeshjesh, unë mendoj se një ndeshje shumë e vështirë ishte ajo në Pragë ndaj Çekisë, ku morëm një pikë. Atje u përballëm me një skuadër shumë të fortë, fizikisht shumë lart dhe të vendosur mirë në fushë. Morëm një pikë shumë të vështirë, duke vuajtur. E lehtë nuk ishte asnjë ndeshje.
Ka pasur shumë zhurmë si çështje, por si arritët t’i bindnit Arbnor Mujën dhe Mirlind Dakun që të linin Kosovën dhe të vinin te Shqipëria?
Federata është duke u zhvilluar dhe rritur shumë, duke krijuar një qendër stërvitore dhe kushte fantastike pune. Mentaliteti ynë është të bëjmë mirë, sepse në fund të fundit zgjedhjen e bëjnë gjithmonë futbollistët. Ne kemi shumë futbollistë në Gjermani, Zvicër e Angli. Ata mund të luajnë për ne, sepse janë shqiptarë, por ne nuk i ndjekim nga pas. Ne duhet të zhvillojmë punën tonë dhe të rritemi, sepse më pas zgjedhja u përket futbollistëve. Nëse vijnë sa më shumë lojtarë të mirë, aq më mirë, por ne duhet të përqendrohemi te puna jonë.
A ka ndonjë futbollist tjetër nga Kosova, që mund t’i bashkohet Shqipërisë?
Siç e kam thënë, kemi shumë lojtarë nga të gjithë anët. Ne kemi drejtimin tonë dhe nëse një futbollist shqiptar e ndjen që mund të vijë me ne, atëherë do ta vlerësojmë. Dera është gjithmonë e hapur në një kombëtare, pasi nuk jemi një klub. Nëse dikush dëshiron të vijë te ne dhe është lojtar i mirë, do të vlerësohet patjetër.
A është Broja në planet tuaja për Europianin?
Sa i përket Brojës, është një futbollist shumë i fortë teknikisht, i një kalibri tjetër. Ka pasur një dëmtim të rëndësishëm, që e mbajti larg fushave 10-11 muaj. Po rikthehet, por nuk është e lehtë. I duhet që të rikuperohet avash avash dhe të marrë kohën e tij për të luajtur rregullisht. Ai është i fortë dhe do të bëjë mirë në muajt e ardhshëm. Situata e tij ka qenë e vështirë dhe duhet të kujdeset për shëndetin e tij, të rigjejë ritmin dhe sigurisht që mund të vijë në kombëtare.
A mendoni se ishit të pafat me shortin e Europianit?
Unë mendoj se ne kemi bërë një sforcim të rëndësishëm për të arritur në Europian. Aty të gjitha ndeshjet janë të vështira. Nëse nuk është Spanja, është Franca, janë të gjitha të vështira. Është një grup i vështirë, por ne duhet të provojmë forcën tonë dhe të rritemi. Ne mendojmë se duhet të luajmë më shpesh në Europianë dhe të mos presim kaq shumë vite. Duhet të provojmë të shkojmë në Botëror, ku nuk kemi qenë asnjëherë. Objektivi i vërtetë është që të shfrytëzojmë Europianin për t’u përballur me skuadra të forta dhe për t’u rritur edhe më shumë.
Sa do të jenë gjasat që Shqipëria të bëjë mirë në Euro 2024?
Është një grup i vështirë, shumë i fortë, por fillimisht duhet të luajmë ndeshjet tona dhe të shohim çfarë do të arrijmë. Ne do të provojmë, ndonëse e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Është një kompeticion i rëndësishëm që zgjat 30 ditë dhe të gjithë janë atje për jetë a vdekje, për të dhënë gjithçka në fushë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. E dimë që ata janë të fortë, por ne do të provojmë.
Çfarë do të veçonit te Shqipëria, nga dita e parë, deri tani?
Duke e menduar pak shpejt, jeta ime këtu ka qenë hotel-federatë. Kam ngrënë dhe kam punuar me futbollin. Organizimi dhe puna ka qenë shumë e mirë dhe është përmirësuar çdo ditë. Kemi pasur takime, biseda, organizime dhe 10 muaj me shumë punë, por edhe të suksesshme. /i.m /abcnews.al