San Giorgio Piana, një ekip nga qyteti i Piana Degli Albanesi e cila ka si simbol shqiponjën dykrenare, është krijuar në vitin 2014 dhe tashmë janë ngjtur në ligën e 5-të në Itali. Një ëndërr e mundësuar nga presidenti shqiptar Evis Troka, i cili prej 20 vitesh jeton në Siçili dhe në vitin 2020 vendosi të investojë në klubin kuqezi.
40-vjeçari nga Kuçova në një intervistë në për “ABC e Mëngjesit” në ABC News foli për rrugëtimin e tij drejt suksesit dhe fitoren në kampionatin e futbollit, por edhe për sfidat e tij kur emigroi fillimisht në Itali.
Ndër të tjera ai zbuloi ëndrrën më të madhe të tij, por edhe të skuadrës, ku tha se do donin ta shihnin në ndonjë kategori superiore.
“Unë jetoj këtu prej 20 vitesh. Në Piana degli Albanesi, në provincën e Palermos gjeta një copëz Shqipëri. Para disa vitesh mu propozua skuadra dhe unë nuk mund të thoja jo. U mundova të jepja kontributin tim. Para tre vitesh u bëra president i ekipit “San Giorgio Piana”. Ëndrra më e madhe është që të shohim këtë skuadër në ndonjë kategori superiore me mbështetjen e biznesmenëve. Do doja dhe angazhimin e shqiptarëve dhe të sportdashësve. Faktorët kryesorë që më shtynë të investoj janë ajo stema dhe ato ngjyra që mbajmë në gjoks, shqiponja dykrenare që është simboli dhe flamuri i Shqipërisë, të cilin e kam qepur në gjoks. Ky klub është themeluar vetëm dhjetë vjet më parë, por në realitet është shumë i ndjekur nga i gjithë komuniteti dhe nga tifozët tanë të mrekullueshëm që nuk kanë hequr dorë asnjë moment.”, u shpreh ai. /abcnews.al