Ardhja e një viti të ri, pavarësisht nga situatat e vështira dhe komplekse që na gjen, jep shpresë se viti që vjen do të jetë më I mirë dhe I mbarë. Popuj të ndryshëm kanë rituale të ndryshme për të tërhequr fat dhe mbarësi, duke menduar dhe shpresuar megjithatë të gjithë të njëjtën gjë: Të largojnë të keqen dhe të sjellin të mirën.
RITUALET SHQIPTARE: PEMË KRISHTLINDJESH DHE BAKLLAVA!
Ndër popujt e Ballkanit, shqiptarët kanë një seri të tërë ritualesh të trashëguara dhe të ruajtura edhe në kohëra kur besimi në Zot dënohej me ligj. Përshembull, të hysh në shtëpi me këmbën e djathtë, personi që do të hyjë në shtëpi për herë të parë në Vitin e Ri të jetë njeri i mire, të hysh vetë i pari në shtëpi që të mos e marrë tjetërkush fatin e shtëpisë, që shtëpia të jetë e pastër dhe e rregullt kur të hyjë Viti I Ri, që të mos hysh në vitin e ri me borxhe se ashtu të shkon tërë viti, të kesh monedha në portofol që të kesh para gjatë gjithë vitit dhe sigurisht të thuash një dëshirë në orën 12.00 dhe të puthësh njerëzit e tu më të dashur për tu uruar mbarësi. Por nuk mbaron këtu. Tavolina ka shumë rëndësi, duhen gatuar ushqime që sjellin pasuri si thjerrëzat apo fasulet, gjelin e detit dhe byrek me lekë. Dhe sigurisht tavolina nuk duhet të ngrihet kur mbaron darka, por të lihet e shtruar. Po kështu, përdorimi I ngjyrës së kuqe si fatsjellëse dhe hedhja e fishekzjarreve. Tek shqiptarët, përgatitjet fillojnë shumë përpara 31 Dhjetorit. Fillon me pemën e Krishtlindjes e cila në Shqipëri njihet si “Pema e Vitit të Ri” dhe sigurisht bakllava. Shija e saj i shton ëmbëlsi kremtimit. Sipas traditës, gjyshet shqiptare fillojnë të përgatisin brumin shumë përpara ditës së shumëpritur dhe thonë se të gjithë duhet të hanë një copë bakllava që të kenë një vit me fat përpara.
SLLOVENI: NGJITJA NË PEMË
Në të gjitha pjesët e Sllovenisë ende besohet se kushdo që zgjohet herët në Ditën e Vitit të Ri do të ngrihet herët gjatë gjithë vitit. Dhe kush shkon në shtrat mëngjesin e Vitit të Ri do të ngrihet nga shtrati vonë gjatë gjithë vitit. Në Slloveni dikur besonin se nëse do të zbulosh se çfarë do të ndodhë në Vitin e Ri, ngjitu në një gardh prej druri ose në një pemë në prag të Vitit të Ri gjatë ditës. Sidoqoftë, nuk duhet të mbash me vete asgjë prej metali, çelësa, apo edhe butona metali në xhaketë ose çizme.
KROACI: NDALOHET PULA, KARAVIDHET DHE GAFORRET!
Në Kroaci, tradita është të hash mish derri të pjekur për Vit të Ri. Kroatët përgatisin pjata të ndryshme si, mish derri të pjekur, derr të egër ose lepur në salcë të ëmbël, sarma apo njoki. Karavidhet dhe gaforret konsiderohen fat i keq dhe nuk duhen ngrënë në prag të Vitit të Ri. Edhe pula është një jo e madhe sepse besohet që ngrënia e çdo zogu me krahë mund të bëjë që fati të ikë dhe të fluturojë larg.
SERBI: FESTË ME DY KALENDARË!
Në Serbi, gjithçka fillon me kalendarët sepse ka dy kalendarë. Kalendari i ri ose Gregorian përdoret në të gjithë shtetin ndërsa kalendari i vjetër përdoret nga kisha. Dy kalendarët kanë 13 ditë diferencë. Nata e Vitit të Ri festohet më 31 Dhjetor ndërsa viti i ri ortodoks serb festohet më 13 janar. Krishtlindja Ortodokse më 7 janar është festa më e madhe ndërkohë që festohet 31 dhjetori si Viti i Ri. Kremtimi i Vitit të Ri më 31 Dhjetor filloi me komunizmin në Serbi dhe nuk është festë fetare. Krishtlindjet dhe Viti i Ri në Serbi janë dy tradita të ndryshme. Serbët dekorojnë veçanërisht pjesën e brendshme dhe të jashtme të shtëpisë. Zakoni është që dyert, tavolina dhe mobiljet në shtëpi zbukurohen me degë me gjelbërim të përhershëm si gjethe dafine ose veshtull për të treguar se së shpejti, pas një dimri të gjatë, gjithçka do të bëhet jeshile përsëri.
BOSNJË-HERCEGOVINË: FESTA ZGJAT DY DITË!
Në Bosnjë, Dita e Vitit të Ri është aq e mirë sa zgjat dy ditë! Viti i Ri festohet gjerësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë në 1 dhe 2 Janar. Rrugët janë zbukuruar për prag të Vitit të Ri dhe ka shfaqje dhe koncerte me fishekzjarre në të gjitha qytetet e mëdha. Restorantet, klubet, kafenetë dhe hotelet zakonisht janë plot. Në Sarajevë, njerëzit mblidhen në Sheshin e fëmijëve ku një bandë lokale rock i argëton ata. Disa grupe roku luajnë deri në orët e para të mëngjesit. Në mesnatë ka një shfaqje të madhe fishekzjarresh.
BULLGARI: VITI I RI ME BANITZA!
Bullgarët kanë zakonet e tyre të veçanta për Ditën e Vitit të Ri. Në ditën e parë të vitit, ekziston zakoni i përgatitjes së banitza, një pjatë tradicionale bullgare e cila mund të përshkruhet afërsisht si një byrek me djathë. Vendosen edhe monedha ose sende të vogla simbolike, siç janë pjesët e një dege druri me një syth, që simbolizon shëndetin ose jetëgjatësinë. Kohët e fundit, njerëzit kanë filluar të shkruajnë për fat në copa të vogla letre dhe t’i mbështjellin për ti vendosur në banitzan e Vitit të Ri. Sigurisht që i sjell fat atij që i gjen në copën e vet të byrekut.
MALI I ZI: FESTË NË BUDVA!
Festimet e Vitit të Ri në Malin e Zi fillojnë në 31 Dhjetor dhe përfundojnë në 2 Janar. Tradicionalisht çdo prag të Vitit të Ri, koncertet organizohen në Budva në sheshin para qytetit të vjetër, festime të cilat mund të zgjasin tre ditë! Ka evente të veçanta për fëmijë, koncerte të muzikës klasike me shumë këngëtarë të njohur dhe grupe muzikore nga rajoni.
MAQEDONIA E VERIUT: FESTË ME KARNAVALE!
Në qytetin e Vevçanit, 180 kilometra në jugperëndim të Shkupit, bëhen karnavalet me trupin e mbuluar me baltë. Karnavalet e Vevçanit datojnë prej 1,400 vjetësh dhe mbahen çdo vit në prag të festës së Shën Vasilit i cili gjithashtu shënon fillimin e Vitit të Ri sipas kalendarit Julian. Karnavalet e Vevchanit paraqesin rituale të ndryshme pagane, biblike dhe satirë politike të ngjarjeve aktuale të paraqitura përmes maskave të pjesëmarrësve.
GREQI: LOJËRA FATI DHE DHURATA!
Nata e Vitit të Ri në Greqi ka shumë tradita. Gjatë darkës familjare, zonja e shtëpisë vendos disa prej bizhuterive të saj në një pjatë dhe i shërben ato në anë të tryezës, si një simbol i prosperitetit të vitit të ardhshëm. Pas mbarimit të darkës, pjata nuk lahet deri të nesërmen. Arsyeja për këtë është se Shën Vasili pritet të vijë gjatë Natës së Vitit të Ri dhe konsiderohet mirësjellje e zakonshme të lihen disa ushqime për udhëtarin që viziton shtëpinë për të sjellë dhuratat gjatë natës. Për shkak se grekët e konsiderojnë Vitin e Ri me fat, është zakon që të marrin pjesë në lojëra të fatit ditën e parë. Në Greqi, për të pasur mbarësi, varet edhe një qepë në derën e jashtme. Po kështu, kush gjen monedhën në byrek do të ketë shumë fat. 1 janari është aq sa dita e Vitit të Ri edhe dita e Shën Vasilit në Greqi. Grekët bëjnë një tortë me një monedhë brenda. Feta e parë i shkon Jezusit dhe pastaj pjesës tjetër të familjes si edhe shtëpisë. Po kështu, është zakon t’u jepen para fëmijëve kur vijnë tek dera. Nëse je mysafiri i parë në shtëpinë e dikujt në Ditën e Vitit të Ri, konsiderohet se je me fat. Karakteristikë është që në prag të Vitit të Ri kryefamiljari zakonisht do të kërkojë nga një anëtar i familjes që të sjellë një mysafir të nesërmen të cilin ata e konsiderojnë si fat të mirë.
TURQI: VISHU ME TË KUQE PËR FAT!
Cila mënyrë më e mirë për të sjellë fat për të dashurit tuaj sesa duke u veshur në të kuqe për festën e Vitit të Ri. Praktika është veçanërisht e njohur në Turqi, ku tezgat që shesin të brendshme të kuqe shfaqen gjatë periudhës festive dhe shiten shpejt. Për shkak të kërkesës së konsumatorit dhe atyre që duan të heqin stresin duke shpresuar për fat më të mirë, shitjet e veshjeve të brendshme të kuqe rriten me 10 deri në 20 përqind në ditët para natës së Vitit të Ri. Tradita turke thotë se veshja e të brendshmeve të reja, të kuqe në prag të Vitit të Ri sjell fat të mirë.
NGA KALENDARI ROMAK TEK AI GREGORIAN!
Data 1 janar, si fillim i vitit të ri, është pranuar relativisht vonë në vende të ndryshme të Europës dhe të botës. Në kalendarin republikan romak viti fillonte më 1 mars, por pas vitit 153 p.e.s. datë zyrtare e ndërrimit të viteve u bë 1 janari dhe kjo traditë u përcoll edhe në kalendarin Julian të vitit 46 para erës sonë. Në Mesjetën e hershme, pjesa më e madhe e Evropës së krishterë konsideronte 25 marsin, Festën e Lajmërimit si fillim të Vitit të Ri, edhe pse dita e Vitit të Ri u vendos më 25 dhjetor në Anglinë anglo-saksone. Kalendari Gregorian, i miratuar me 1582 nga Kisha Katolike Romake, riktheu 1 janarin si ditë të vitit të ri dhe shumica e vendeve evropiane e ndoqën gradualisht këtë traditë: Skocia në vitin 1660; Gjermania dhe Danimarka rreth vitit 1700; Anglia në 1752 dhe Rusia në 1918. Vendet ku shumica e qytetarëve janë të besim orthodhoks e pranuan më vonë kalendarin Gregorian, si Greqia në vitin 1923, ndërsa vendet me popullsi shumicë myslimane e pranuan më vonë, si Turqia përshembull në vitin 1927./abcnews.al