Lloyd Blankfein ka lindur në Bronx. Gjatë fillimit të karrierës së tij, asgjë dhe askush mund ta parashikonte që ky njeri do të bëhej një ditë bankieri më i fuqishëm në botë dhe do të konsiderohej më i rëndësishmi në Wall Street.
Djali i një punonjësi të postës, ai u rrit në një lagje hebrejsh, ku ndante një dhomë me gjyshen e tij. Në verë ai punonte si roje plazhi dhe shiste hot dog dhe pije të gazuara jashtë stadiumit Yankee.
Por ai ishte i vendosur për t’ia dalë mbanë, prandaj e mbaroi shkollën, si një nga studentët më të mirë.
Dyert për në Harvard ishin të hapura, por ndryshe nga shumica dërrmuese e kolegëve të tij studentë, të cilët ishin ajka e Amerikës, me sjellje aristokratike, Blankfein-it iu desh të punonte në kafenenë e universitetit për të përfunduar studimet.
Pasi punoi për disa vite si avokat, ai shpejt u magjeps nga Wall Street. Megjithatë, kur në fillim të viteve 1980 ai dërgoi CV-në e tij në bankat më të mëdha të investimeve amerikane, Morgan Stanley, Dean Witter dhe Goldman Sachs, asnjë nuk i ofroi punë.
Duket ironike në retrospektivë, por Goldman Sachs refuzoi CEO-n e saj të ardhshëm. Në njëfarë mënyre, ai filloi punë në J. Aron, një kompani jo shumë e njohur mallrash, që, edhe pse së fundmi u ble nga Goldman Sachs, atëherë konsiderohej asgjë më shumë se një pjesë e vogël e bankës së investimeve.
Kreu 12-vjeçar i Goldman Sachs nuk është vetëm një nga bosët më jetëgjatë të bankave amerikane dhe një nga bankierët më të fuqishëm në botë, por edhe “i mbijetuari” i fundit i Wall Street.
Çuditërisht, menaxheri që duhej të “ringjallte” këtë bankë të plotfuqishme pas krizës së 2008-ës, kishte parë Goldman Sachs t’i mbyllte derën në fytyrë kur në fillimet e karrierës i dërgoi një CV për të kërkuar punë.
Në vitin 2006, kur paraardhësi i tij, Hank Paulson, la postin e CEO të Goldman Sachs për t’u bërë Sekretar i Thesarit në administratën e George Bush, Blankfein u ul në karrigen e CEO.
Në krizën e vitit 2008, Goldman Sachs-it iu desh të miratonte një paketë shpëtimi që tejkalonte 10 miliardë dollarë, por ishte e para nga bankat e Wall Street-it që mundi ta shlyente këtë ndihmë shtetërore brenda një viti.
Pasi mposhti krizën dhe kancerin, Blankfein siguroi edhe njëherë se “ai nuk ka ndërmend të vdesë në zyrën e tij”. Në vitin 2018, ai dha dorëheqjen si CEO, duke ia dorëzuar David Solomon.
Pra, çfarë bën një ish-bankier kur del në pension?
Në vitet e kaluara, rruga e një CEO në largim të Goldman Sachs për në Thesarin e SHBA dukej pothuajse automatike. Por kohët kanë ndryshuar dhe bankierët janë shumë “toksikë” për të qënë pjesë e qeverisë amerikane.
Vetë Blankfein kishte pranuar në një intervistë të mëparshme se do të ishte i interesuar për një pozicion qeveritar. Por siç tha ai, ai e kupton pse kjo nuk do të ndodhë.
Madje sot qarkullojnë skenarë për rikthimin e tij në Goldman Sachs, pas raportimeve se ai është i pakënaqur me detyrën e Solomonit.Megjithatë, ai ka hedhur poshtë çdo thashethem për një rikthim, duke e bërë të qartë se nuk ka dëshirë të punojë sërish 100 orë në javë.
/abcnews.al