Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit ishte Sami Shaqiri, shqiptari nga Kosova që pas një rrugëtimi të gjatë emigracioni, sakrificash dhe studimesh, sot garon për një mandat të dytë në Këshillin Bashkiak të Østfold Fylke në Norvegji.
I larguar nga Kosova në moshën 17-vjeçare gjatë periudhës së luftës, Samiu kujton vitet e para të vështira në vendin nordik, ku nisi gjithçka nga e para. Për të mbajtur veten dhe familjen, ai punoi në profesione të ndryshme, duke shitur gazeta dhe duke larë pjata, ndërsa paralelisht vazhdonte studimet.
“Shpesh shkoja i përgjumur në shkollë sepse punoja disa punë njëkohësisht, por nuk u dorëzova. Arrita të shpallem studenti më i mirë i shteteve nordike”, rrëfen ai. Sot, pas një mandati katërvjeçar në Këshillin Bashkiak të Østfold Fylke dhe një eksperience pune në administratën vendore, Sami Shaqiri kërkon sërish besimin e qytetarëve. Ai thotë se synimi i tij është të jetë ura lidhëse mes institucioneve norvegjeze dhe komunitetit shqiptar.
Sipas tij, edhe pse Norvegjia konsiderohet një nga vendet me standardet më të larta të jetesës në botë, ka ende nevojë për investime të reja në banesa për të moshuarit, shkolla dhe ambiente komunitare. Një nga episodet më interesante të karrierës së tij politike lidhet me një ofertë të pazakontë që mori vite më parë. Drejtues lokalë i kishin premtuar ndërtimin e një xhamie për shqiptarët nëse ai siguronte votat e komunitetit për një forcë të caktuar politike.
“U thashë se para një xhamie shqiptarët kanë nevojë për një shkollë shqipe”, kujton Shaqiri, duke theksuar se integrimi dhe arsimi duhet të jenë prioritetet kryesore të diasporës.
Politika për të nisi që në gjimnaz, pas leximit të një artikulli të një politikaneje të majtë norvegjeze. Pa e ditur, vite më vonë ai do të gjendej krah saj në fushatë elektorale. Përtej politikës, Sami Shaqiri ka një pasion të madh për sportin. Ai ka qenë trajner futbolli për shtatë vite dhe trajner volejbolli për gjashtë vite të tjera, duke marrë licenca profesionale nga federatat përkatëse. Megjithatë, aktualisht fokusi i tij mbetet gara politike dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Norvegji. Me rreth 1000 vota që i duhen për të siguruar mandatin e ri, Sami Shaqiri shpreson të vazhdojë të jetë zëri i shqiptarëve në një nga demokracitë më të zhvilluara të Evropës.



