Edhe pse ishte protagonist i një debati me Luciano Spalletti gjatë një seance stërvitore në “Castel di Sangro”, Victor Osimhen e konsideron veten totalisht në qendër të projektit të Napolit.
Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, sulmuesi nigerian foli për marrëdhëniet e tij me klubin dhe me qytetin, të cilat e kanë bërë gjithmonë të ndiejë afërsi dhe dashuri, që kur mbërriti:
“Kam jetuar momente shumë të vështira, madje edhe private, por Napoli ka qenë gjithmonë pranë meje dhe kjo është një nga arsyet pse jam këtu. Unë luaj për klubin dhe ekipin, kurrë për veten time. Për pjesën tjetër, i meritoj gjërat e mira që thuhen për mua, edhe pse besoj se mund të përmirësohem në shumë aspekte.
Jam në një qytet të bukur dhe në një klub të mrekullueshëm. Gjithçka e shkëlqyeshme. Napoli është një nga vendet më të mira për të qenë futbollist. Diego Armando Maradona luajti këtu, më i miri ndonjëherë. E konsideroj privilegj dhe nder të madh të luaj në stadiumin që mban emrin e tij”.
Keqardhja e madhe e nigerianit, të paktën për sezonin e fundit, lidhet me titullin e munguar: “Ne ishim shumë, shumë afër titullit. Të gjithë dhamë gjithçka për ta fituar, por ky është futbolli. Ishte dhe mbetet një ëndërr, do të përpiqemi përsëri. Edhe Liga e Kampionëve, megjithatë, ishte një ëndërr dhe ia arritëm të kualifikoheshim”.
Osimhen nuk duket i shqetësuar për largimet e disa lojtarëve të rëndësishëm nga skuadra blu, përkundrazi rikonfirmon ambiciet e tij dhe të klubit: “Ekipi ka ndryshuar shumë. Insigne, Ospina, Koulibaly, Mertens dhe Ghoulam, lojtarë kyç dhe liderë të mëdhenj, janë larguar dhe dua t’i falënderoj. I dua të gjithë dhe iu uroj më të mirat.
Tani, megjithatë, ka liderë të tjerë. Jam i lumtur për Giovanni Di Lorenzo, kapitenin e ri dhe më pas Mario Rui. Ndër të tjera kanë ardhur lojtarë të rinj të mirë, të vendosur dhe teknikë, që do të na ndihmojnë të mbushim boshllëkun e lënë nga këta kampionë të mëdhenj.
Olivera , Ostigard, Kvaratskhelia dhe Kim do të rrisin cilësinë tonë. Pak besojnë se do të jemi konkurrues për titullin, një mendim që unë e respektoj. Megjithatë, mendoj se sezonin e ardhshëm mund të bëjmë shumë, shumë më mirë se i kaluari”.
Osimhen iu dha fund zërave në lidhje me të ardhmen e tij, pavarësisht interesimit të disa emrave të mëdhenj në futbollin evropian: “Unë jam te Napoli dhe kam respekt të madh për klubin tim. Janë vetëm thashetheme për tregun e transferimeve: Unë jam mirë këtu dhe nuk kam pasur kurrë marrëdhënie kaq të ngushta me të gjithë si në këtë moment.
Kam folur me presidentin. Ai vendos dhe më qetësoi duke shpjeguar planet e klubit. Jam i kënaqur me atë që më tha dhe nënshkrimet janë cilësore. Fjalët u pasuan nga veprat. Jam shumë i lumtur që luaj me Napolin, pastaj do të shohim në të ardhmen”.
Më në fund, fjalët për trajnerin blu, Luciano Spalletti, i konsideruar si një nga trajnerët më të mirë që ka pasur ndonjëherë në karrierën e tij: “Ai është një trajner i mirë, çdo ditë përpiqet të më motivojë dhe të më bëjë të shfrytëzoj sa më shumë potencialin që kam. Mendoj se është trajneri ideal për mua në këtë fazë. Ai është një nga arsyet pse jap gjithmonë maksimumin”. /f.a/abcnews.al