Kryeministri Rama deklaroi gjatë seancës së sotme plenare se qeveria ka plan që të dërgojë dy satelitë në hapësirë deri në vitin e ardhshëm. Sipas kryeminsitrit, do të jenë dy satelitët “Albania1” dhe “Albania2” që do të fluturojnë në hapësirë gjatë vitit tjetër, ndërsa nuk dha më detaje se si do të realizohet ky projekt.
Deklarata e tij bëri bujë sot në media dhe në rrjetet sociale duke marrë mjaft komente mbështetëse dhe ironizuese. Pavarësisht sherreve dhe shamatës së çdo jave, deklarata të këtij niveli, edhe prej vëmendjes që marrin, bëhen rrallë në parlamentin e Shqipërisë, prandaj abcnews.al e pa të arsyeshme që të rendisë disa nga thëniet më të bujshme të kryeministrave të viteve të fundit në Parlament.
Të tilla janë:
Berisha: Do të ndërtojmë central bërthamor në Shkodër
Deklarata e ish-kryeministrit Berisha, gjatë një vizite në Itali sipas të cilit Shqipëria do të ndërtonte një central bërthamor në Shkodër mori vëmendje të madhe ndërkombëtare duke shkaktuar jo pak frikë edhe në Malin e Zi fqinj. Nuk dihet se nga u frymëzua Berisha për të bërë një deklaratë të tillë, ndërkohë që Europa ishte dhe është në përpjekje për të ulur sasinë e energjisë së prodhuar nëpërmjet energjisë bërthamore. Megjithatë, mund të thuhët se në atë kohë ish-kryeministri përdorte shpesh togfjalëshin “Shqipëria, një super fuqi e vogël energjetike”.
Rama: Ju dukën mushkonjat si avionë
Ndërkohë që opozita e akuzonte në fillim të mandatit të tij të parë se vendi ishte kthyer në një qendër të trafikut të lëndëve narkotike përmes acvionëve të vegjel që uleshin nga jugu në veri, kryeministri Rama i qesëndiste ata duke thënë se iu dukeshin mushkonjat e Myzeqesë si avionë. Nuk zgjati shumë dhe nga këto “mushkonja” u rrëzua në Divjakë duke u bërë avioni i parë që përdorej për transport kanabisi që kapej në vend. Më pas, ai do të ndiqej nga avionë të tjerë që do të pësonin defekte teknike apo përplaseshin në territorin shqiptar duke qenë plotë më kanabis.
Berisha: Do të fusim kinezçen për mësim në shkolla
Shumë nuk e mbajnë mend, por deklarata e ish-kryeminsitrit Berisha në parlament se fëmijët shqiptarë do të mësonin kinezçe në klasa shkaktoi mjaft të qeshura gati një dekadë më parë. Berisha po mbante një fjalim të zjarrtë në foltoren e Kuvendit dhe teksa po ngacmohej nga deputetët e opozitës, tha fjalinë e famshme: Kemi në plan të fusim kinezçën si lëndë mësimore në shkollat tona.
Pandeli Majko: Të ndërtojmë tunel nënujor Shqipëri-Itali
Ministri italian i Mbrojtjes Antonio Martino nuk u besoi veshëve teksa nga homologu i tij shqiptar Pandeli Majko dëgjoi propozimin për ndërtimin e një tuneli nënujor Shqipëri-Itali. Majko ia bëri këtë propozim Martinos në vitin 2002 kur ishte në një vizitë zyrtare atje, ndërsa ai iu përgjigj se më parë duhej bërë një studim i mirëfilltë mbi përfitimet dhe kostot e një projekti kaq të madh.
Sali Berisha: Do të heqim Lekun dhe fusim Euron si monedhë zyrtare të Shqipërisë
Askush nuk mund të thotë se nga u frymëzua ish-kryeministri Berisha në vjeshtën e vitit 2010 për të thënë se qeveria do të hiqte Lekun dhe në vend të tij do të përdorte Euron si monedhë zyrtare, por kjo deklaratë pasditen e një të enjteje shtatori shkaktoi jo pak tronditje në tregun e këmbimit valutor në atë kohë.
Menjëherë pas deklaratës së Berishës, një euro filloi të këmbëhej me 141-142 lekë ndërkohë që pak orë më parë kursi i këmbimit kishte qenë 134-135 lekë. Gjithçka u stabilizua disa ditë më pas, por sigurisht që bizneset dhe individët që duhej të blinin euro në ato orë patën kosto të mëdha.
Sali Berisha: Jemi të dytët pas Gjermanisë
Ekonomia e Gjermanisë ka qenë vazhdimisht si pikë reference për shtetet e BE-së për nga eficenca. Madje edhe qeveria shqiptare ka guxuar të krahasohet me potencialin e ekonomisë Gjermane, ku në vitin 2012 ish-kryeministri Berisha do të deklaronte se ekonomia e Shqipërisë ishte e dyta pas Gjermanisë për nga zgjerimi i saj gjatë asaj periudhe. Deklarata shkaktoi jo pak të qeshura dhe habi në atë periudhë, kur vendi po përpiqej të dilte nga efektet e krizës ekonomike të viteve 2008-2010.
Edi Rama: Të rinjtë nga Korça marrin paga deri në 8 mijë euro
Kryeministri Rama deklaroi në shkurt të këtij viti se janë të paktën 100 të rinj të Korçë që marrin paga nga 1 mijë deri në 8 mijë euro për shkak të punës që bëjnë sipas tij në internet. Rama tha se të rinjtë ofronin shërbime për kompani të huaja nëpërmjet internetit prandaj edhe kanë të ardhura kaq të larta. Deklarata u shpërnda shumë në rrjetet sociale, ku një pjesë bënë edhe ironi, por Rama iu përgjigj duke i takuar disa nga këta të rinj që sipas tij merrnin paga deri në 8 mijë euro. /abcnews.al