“Nga Rinasi do të fluturohet më lirë pas uljes së tarifës së pasagjerit”; TIA: 100 milionë € investime

schedule18:19 - 27 Janar, 2021

schedule 18:19 - 27 Janar, 2021

Njoftimi i parë zyrtar për vitin 2021, i Tirana International Airport (TIA) prek të gjithë udhëtarët që përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ulja së tarifës së pasagjerit. Përveç këtij lehtësimi për pasagjerët kompania paralajmëron dhe nisjen e një plani ambicioz investimesh në strukturën e aeroportit, për të kontribuar në lehtësimin e çmimeve të biletës dhe zhvillimit në tërësi të aviacionit dhe turizmit shqiptar.

Lajmet e mira për uljen e tarifës dhe investimet shumëmilionë euroshe vijnë pas datës 18 Dhjetor 2020, kur kompania lider shqiptare Kastrati Group, e themeluar që në vitin 1990, u bë zotëruese 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, pas blerjes së këtyre aksioneve nga kompania kineze “Real Fortress Limited”.

Ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro është vendimi i parë që ka marrë TIA dhe që do të startojë me ndryshimin e Kontratës së Koncesionit të miratuar që në vitin 2004. Si pasojë e kësaj uljeje të tarifës, efekti në uljen e çmimit të biletës dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve, do të jetë i ndjeshëm.

Si pjesë e ndryshimeve dhe rinegociimit të Kontratës së Koncesionit, TIA bën me dije se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit të ri, me fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.

Plani i investimeve nga koncesionari është një plan ambicioz, i cili synon të përmirësojë dukshëm operimin në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe ta shndërrojë Tirana International Airport në një shembull pozitiv në rajon, me një impakt të jashtëzakoshëm në rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përmirësimin e lehtësisë së të bërit biznes.

Pjesë e paketës së negocimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë), liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve bashkë më uljen e çmimit dhe ulja e tarifës së pasagjerit. Kjo do të sjellë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të ketë efekt në uljen e çmimit të biletës si dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve./ Abcnews.al