Nga privatizimi i gabuar tek borxhet, ekspertët rrëfejnë “ARMO”-n: Politika “ka futur duart”

schedule20:55 - 25 Maj, 2021

schedule 20:55 - 25 Maj, 2021

Emisioni VETTING

Privatizimi i “A.R.M.O-s”, siç tregon inxhinieri Nako Petro, do të ishte finishi fatal i një rruge të shtruar me vendime të gabuara politike, që spostonte zërat profesionistë në karrigen rezervë gjatë lojës menaxheriale, pas viteve ‘90.  Rruga për dorëzimin e këtij aseti publik po përgatitej me shkrirjen e degëve të karburantit dhe zvogëlimin e kapitalit. Kjo zgjedhje, nuk i përkiste specialistëve e nuk do t’u leverdiste as atyre e as punonjësve të thjeshtë.

Ndonëse në vitin 2007 nga Armo ishin deklaruar afro 14,3 miliardë lekë xhiro vjetore e 1, 7 miliardë lekë fitim, aksionet e saj, bashkë me depozitat e mbushura me naftë iu shitën konsorciumit të huaj “Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe “Refinery Associates of Teksas” për 128 milionë euro. Këto tre kompani ishin të regjistruara përkatësisht në Gjenevë, Holandë dhe Teksas.

Eksperienca e vakët e kompanisë 4-vjeçare “AMRA oil” , në përpunimin e naftës, si dhe kapitali i ulët prej 2 milionë lekësh ishin vetëm dy nga treguesit, të një kontrate të nxituar me biznesmenin Rezart Taçi. E regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 2 qershor të 2008-ës, konsorciumi siç tregon inxhinieri Nako Petro kishte një aktivitet dhe numër punëtorësh minimal, çka ishte tregues i qartë që nuk mund të menaxhonte një uzinë të tillë. E megjithatë Ligji 9993 i fundvitit të 2018-ës, ratifikoi përfundimisht shitjen e 85 përqind të aksioneve.

Kështu, në vend të investimeve kompanisë i’u shtuan humbjet që prekën kulmin në 2013-ën me afro 24,4 miliardë lekë. Nga këto, detyrime ndaj tatimeve, doganave dhe të tretëve ishin 23,47 miliardë lekë . Sipas bilancit të vitit 2013, borxhet e “ARMO-s” ndaj bankave arrinin në 5 miliardë e 222, 2 milionë, ku si garanci mbivendoseshin asetet e shoqërisë. Nga ana tjetër, administratori Rezart Taçi u kalonte hua marramendëse kompanive të tjera të tij; përkatësisht kompanisë “Taçi Oil” i dha hua 6.45 miliardë lekë, shoqërisë aksionere “Kuid” 449.2 milionë lekë, dhe  “Amra Oil” 314.5 milionë. Të gjitha këto ndodhnin ndërsa shteti administronte ende 15 përqind të aksioneve.

Borxhet do të zvarriteshin edhe me shitjen e ARMOS-s bashkë me detyrimet tek një kompani azere. Një zgjedhje kjo jorastësore parë faktin se Taçi ishte debitor ndaj Bankës Ndërkombëtare Azere, së cilës i kishte marrë hua shumën prej 75 milionë eurosh të transferuar përmes bankës Credins gjatë blerjes së ARMO-s. Qeramarrësit që erdhën në vijim nuk devijuan nga linja e akumulimit të borxheve. Deveron Oil shënoi 81.2 milion dollarë detyrime ndërsa Trading Petrol and Drilling 55,2 milionë dollarë. Borxhi i ‘Jonian Refining’ and ‘Trading Compani – IRTC me menaxher Mitat Sulajn arriti në 64 milionë dollarë. Edhe pse në këtë situatë kompania tentoi pa sukses të blente “ARMO-n”.

Të fundit që shënuan dhe mbylljen përgjatë periudhës 2018-2019, duke refuzuar të paguanin pagat e prapambetura të naftëtarëve ishin dy kompani të regjistruara në Zvicër, Tosk Energji dhe Bylis Energji. Por përtej qiramarrësve, barra e detyrimeve të mëhershme sikundër edhe përfitimet duhet të binte mbi pronarët.

……….

Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!