Nga Xhensila Kodra
Ministri a e Brendshme prezantoi këtë të mërkurë në Komisionin e Sigurisë ndryshimet që bëhen në ligjin e Gardës së Republikës. Një nga ndryshimet thelbësore është marrja e gradës, si dhe rritja e pagesës për punonjësit e këtij digasteri.
Me miratimin e këtij projektligji, punonjësit e Gardës do të kenë grada të reja e të njëjta me ata që kanë efektivët e Policisë së Shtetit.
Për drejtuesit kryesorë të Gardës, paga e tyre do të ulet deri në 10 mijë lekë të reja. Ndërsa vartësit e tyre do të kenë rritje deri në 3 mijë lekë, e në varësi të gradës që do të marrin.
Grada më e lartë është ajo e “Gjenerali Gardë”, e cila do të kalojë në “Drejtues Madhor”. Grada më e ulët është “Reshter”, e cila me ndryshimet e reja kalon në “Inspektor”. Nga 46.700 lekë që ishte kjo pagë, shkon në 50 mijë lekë.
Ndryshimet në Komision u prezantuan nga zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj.
Një tjetër ndryshim në këtë ligj është zgjatja e periudhës së ruajtjes së krerëve të shtetit pas përfundimit të mandatit.
Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit do të kenë ruajtje fizike nga Garda e Republikës për një periudhë kohe më të gjatë se sa parashikohet aktualisht.
Pas përfundimit të mandatit, Presidenti i Republikës do të shoqërohet me truprojë për plot 5 vite pas përfundimit të mandatit 5 vjeçar, nga 3 që ishte më herët.
Ruajtje më të paktë do të kenë Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të cilët pas përfundimit të detyrës, do të merren në mbrojtje për 4 vite, nga 3 që ishte. Risi në ndryshimin e këtij ligji është edhe ruajtja e krerëve të shtetit, nëse mandati u ndërpritet në mes. Në këtë rast ruajtja e tyre do bëhet sa gjysma e periudhës kohore që ata kanë shërbyer në detyrë.
Në ndryshim nga ligjit aktual Presidenti i Republikës do të merret në mbrojtje që nga momenti që zgjidhet nga parlamenti, pavarësisht periudhës që pret për të marrë detyrën.
Që prej vitit 2003 kur është hartuar ligji për funksionimin e Gardës së Republikës, kjo është është hera e tretë që bëhen ndryshime në ligjin e këtij institucioni. /abcnews.al