Zbulime të reja po hedhin dritë mbi historinë e një prej qyteteve më të rëndësishme të antikitetit shqiptar. Pas një muaji gërmimesh intensive në Parkun Arkeologjik të Amantias, arkeologët kanë nxjerrë në dritë një godinë antike me karakter ekonomik, duke sjellë të dhëna të reja mbi jetën dhe zhvillimin e qytetit të lashtë.
Ky është viti i gjashtë i kërkimeve arkeologjike në Amantia, ku puna është përqendruar në dy sektorë kryesorë: fortifikimin dhe qytetin e poshtëm. Monumentet dhe strukturat e zbuluara gjatë muajit maj po ndihmojnë studiuesit të rindërtojnë më qartë historinë e këtij qyteti që u themelua në fund të shekullit V para Krishtit.
E vendosur mbi një kodër dhe e mbrojtur nga mure madhështore, Amantia u kthye në një qendër të fuqishme ekonomike në shekullin III para Krishtit, madje duke prerë monedhën e saj në vitin 268 para Krishtit.
Sot, Parku Arkeologjik i Amantias, me një sipërfaqe prej rreth 300 hektarësh dhe një qytet të zbuluar deri tani në rreth 20 hektarë, vijon të mahnisë me pasuritë e tij: stadiumin antik, bazilikën paleokristiane, tempullin e Afërditës, teatrin, varret monumentale dhe tashmë edhe zbulimet më të fundit që po ndryshojnë mënyrën si e njohim historinë e këtij qytetërimi të lashtë. Çfarë fshihet ende nën tokën e Amantias? Dhe çfarë sekretesh të tjera pritet të zbulojnë arkeologët?


