Nga mocarella për kryepolicin e Tiranës tek korrupsioni masiv: Të pathënat e përgjimeve të Ndragheta-s

schedule14:04 - 23 Janar, 2021

schedule 14:04 - 23 Janar, 2021

Janë rreth 35 të arrestuar nga operacioni i madh i anti-mafias italiane kundër klanit të “Ndragheta-a” në Itali.

Në këtë operacion janë përfshirë edhe politikanë lokalë dhe të njohur në Itali siç është eurodeputeti Lorenzo Cesa, këshilltari rajonal për buxhetin Franco Talarico dhe sipërmarrësi Antonio Gallo, i njohur edhe si “Princi” që do të pushtonte Shqipërinë me projektet e tij përmes njohjeve këtu duke dhënë rryshfet.

Në qendër të hetimeve janë qarkullimi i disa dhjetra miliona eurove, ndërkohë që në rrjetën e autoriteteve italiane kanë rënë edhe dy shqiptarë, të cilët shërbenin si “emra mbulesë” për të regjistruar si të ligjshëm bizneset që në fakt ishin të Ndraghetas.

 

Sa i përket Shqipërisë, të paktën nga ajo që është zbuluar nga autoritetet italiane, historia nis gjatë një darke në restorantin “Tullio” më datë 7 korrik 2017 në Romë.

Lexo edhe: Me aktivitet edhe në Shqipëri, si funksionon Ndragheta: Organizata më e madhe kriminale në botë

Në atë darkë janë të pranishëm biznesmeni Antonio Gallo, sekretari Franco Talarico e Tommaso Brutto, ish-këshilltar komunal i Catanzaros dhe djali i tij Saverio si edhe miq të tjerë të tyre.

Gjatë kësaj bisede theksohet fakti se në Shqipëri korrupsioni është masiv dhe se me 100 000 euro mund të “blesh” çdokënd.

Uh… korrupsioni total… tregu i lirë po, por ata kanë një kontratë… kur i shkon me 100 mijë… këto janë tuajat. Është vërtet e ligjshme. Për shembull, nëse mund të futemi në spitale… sepse ne gjithashtu furnizojmë kominoshe, doreza dhe maska, gjithçka që lidhet me spitalet”- është shprehur ndër të tjera Talarico.Në një përgjim tjetër të disa muajve më vonë, dëgjohet Antonio Gallo, Brutto dhe një miku i tyre, Speziali që flasin se si mund të bëjnë biznes në Shqipëri duke korruptuar zyrtarë të vendit.

Gallo përmend faktin se kanë dërguar një të njohurin e tyre tek kryetari i bashkisë së Tiranës, ndërkohë që gjatë bisedes flitet edhe se përmes një personi të quajtur “Nik” mund të kenë akses tek ministrat, kryebashkiaku i Tiranës, etj. Madje, ata shprehen se mund të takojnë edhe presidentin e Republikës.

Në bisedë përmendet edhe fakti se personi i njohur si “Nik” ka në dorë disa licenca për ndërtimin e grataçelave në Tiranë dhe se me 20% të vlerës ryshfet mund të blesh gjithçka në Shqipëri.

Anti-mafia ka zbuluar se grupi i përgjuar e shihte Shqipërinë si një vend ku mund të investonin dhe të bënin gjithçka, mjaftonte që të jepje rryshfet në sasinë e duhur dhe personit të duhur.

“Është si Kalabria e viteve 60…mund të bëjnë gjithçka..nga spitalet tek hekurusha..gjithçka”, dëgjohet të flasin ata mes tyre.

Në përgjime është kapur edhe momenti kur Antonio Gallo flet se do të “peshkonte” shefin e policisë se Tiranës me djath mocarella.

Gjatë përgjimeve është kuptuar se bosët e mafias italiane rekrutonin persona me “profil të ulët” në Itali apo biznesmenë nga Shqipëria për të regjistruar nën emrat e tyre bizeset milionëshe të tyre në mënyrë që të mos kuptoheshin nga autoritetet.

Gjatë operacionit në Itali janë kapur sasi të mëdha parash si edhe sekuestruar disa prona që dyshohet se i përkasin “Ndragheta-s”.

Përgjimet

Gallo: Ai është shqiptar është President i këtij grupi atje në Shqipëri.

Speziali: Dhe në spitale mund të punohet…

Gallo: Nuk e di por ai është President i Sol në Shqipëri, të gjithtë spitalet, është pranë Kryeministrit, pranë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një njeri i rëndësishëm..

Speziali: Ka shkuar Claudio (Larussa) atje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës..

Gallo: Po ka shkuar.

Brutto: Si një muaj… një muaj

Speziali: Më thuaj, në Shqipëri, unë vërtet i kam impiantet por jam pak skeptik ti çoj… nëse i marrim e t’i çoj është mirë për mua… por jo që të ma hedhin… duhet dërguar personi i duhur.

Flasin për një person me emrin Nik, shtetas shqiptar.)

Gallo: Atëherë kam folur me këtë mikun tim Nik, që më ka thënë se tipi që mori tri licenca për të ndërtuar në Tiranë… ka tri licenca në duar e për 180 milionë që duan, për të bërë ka 10 milionë.

Speziali: Realitet..

Gallo: Kërkojnë financierë më tha… gjejnë një sipërmarrës që është mirë e banka e financon… mund të bëhen para pasi shiten 4 milionë 5 milionë për metër… gjysma e Tiranës.

Speziali: Apartamentet…

Gallo: Apartamentet. Ky ka në duar tri licenca gradaçelash, ky kostruktori.

Speziali: 4000 euro jo… 2700-2800 euro.

Brutto: Për atë Perëndi….në qendër të Tiranës?

Gallo: Në gradaçelat e reja shiten 3800-4000 euro për metër katrorë e kosto e di sa është kosto e vërtet? 510 euro.

Speziali: Po nëse e bën diçka luksoze..

Brutto: A a mund të flasim me këtë Nikun?

Gallo: Nëse je në Romë më 9 nëntor vjen… është Presidenti i Grupit Sol në Shqipëri…… i oksigjenit, ka lidhje me spitalet , me Enel, me të gjitha ka lidhje …e ma tha qartë se tenderat duan 20% -shin më tha….. por mund ta paguajnë ata (i referohet Nik)

Reagojnë Meta dhe Veliaj

Në lidhje me përgjimet në fjalë ku përmenden edhe ata, kanë reaguar presidenti Meta dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Meta kërkoi hetime më të thelluara në lidhje me këto pretendime, kurse Veliaj ironizoi opozitën duke thënë se tani do të pretendojnë edhe se ka qenë shok çerdheje me Eskobarin.

Veliaj: Do dëgjoni në këtë fushatë çudira. Do dalin që kemi qenë shokë në çerdhe me Eskobarin. Do dalin lloj-lloj çudirash. Përca dhe sundo ka qenë strategjia e Saliut. I funksionoi në vitet ‘90.

Meta: Problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet që i referohen zhvillimit më të fundit në Itali për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë duhet të ndiqet edhe nga institucionet tona.