Nga Esiona Konomi
Dy ligjvënësit më të vjetër të këtij Kuvendi do të hyjnë nesër në këtë godinë për dy gjëra të ndryshme. Luljeta Bozo do të drejtojë seancën e parë të legjislaturës duke udhëhequr betimin e cdo deputeti, ndërsa Sali Berisha, do të hyjë në Parlament përkundër vullnetit të amerikanëve, duke i vënë flakën debatit politik.
Në sallën plenare kanë nisur përgatitjet. Seanca e parë do të jetë në orën 10, nga ku të gjithë deputetët do të hyjnë nën masat anti-covid dhe do të ulen në karriget parlamentare. Një nga një, të zgjedhurit në 25 prill do të thonë “betohem”, pasi Luljeta Bozo të lexojë formulën e betimit dhe t’ju thërrasë emrat.
Mes tyre, pritet të betohet edhe Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA-të. Për të njëjtën arsye, nuk do të jetë në Kuvend Tom Doshi. Edhe pse fitoi mandat në dy qarqe, ai u dorëhoq menjëherë të nesërmen e zgjedhjeve. Por Kuvendi nuk do të ketë nesër 140 deputetë. Disa prej tyre që kanë braktisur mandatet, ende nuk janë zëvendësuar.
Ata janë Mark Marku, Najada Como, Gramoz Ruci dhe Lefter Koka. Pasuesit e tyre do të mandatohen nga KQZ javën e ardhshme. Pasi të ketë përfunduar betimi i të gjithë të pranishmëve, deputetët do të deklarojnë përkatësinë partiake, dhe socialistët do të paraqesin me shkrim dhe të mbështetur në firma emrin e Linditat Nikollës për kryetare Kuvendi.
Punimet do të ndërpriten, për të nisur në orën 5 pasdite, ku do të votohet kryetarja e re, si dhe Nikolla do të ftohet të mbajë fjalën e saj. Këto dy seanca janë ceremoniale, e njëkohësisht ndiqen nga trupa diplomatike në Tiranë. Por ngelet për tu parë nëse e nesërmja do të jetë një ditë e zakontë./ Abcnews.al