Eglantina Pjetrushaj ishte e ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, ku rrëfeu rrugëtimin e saj frymëzues nga Lezha drejt arbitrimit në arenat më të rëndësishme europiane. Prej dy vitesh e pajisur me stemën zyrtare të FIFA-s, ajo është sot pjesë e listës elitare të arbitrave shqiptarë të certifikuar për ndeshje ndërkombëtare.
Në vitin 2024, ky certifikim i hapi dyert për të gjykuar ndeshje jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa këtë sezon është aktivizuar edhe në Kupën e Meshkujve.
Në fund të nëntorit, Eglantina u thirr nga UEFA për testime fizike dhe teorike, ku u vlerësua si një perspektivë e fortë për nivele edhe më të larta. E rritur në një familje me traditë të gjatë në arbitrim, dinastia Pjetrushi ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me futbollin. Që e vogël, ajo ndiqte kampionatet botërore me familjen, duke e parë arbitrimin si mënyrën e vetme për të qenë pjesë e lojës. Ajo e nisi këtë rrugë si pasion, pa e menduar se një ditë do të mbante stemën e FIFA-s.
Në karrierën ndërkombëtare, ka gjykuar edhe në UEFA Champions League për femra, duke treguar autoritet dhe vendosmëri në fushë. “Më pëlqen loja e fortë dhe nuk jam dorëlëshuar me kartonat”, thotë ajo, duke theksuar rëndësinë e gjakftohtësisë. Përveç arbitrimit, Eglantina është edhe trajnere fitnessi dhe e vetmja që ka hapur një palestër vetëm për vajza në Lezhë.

