Një emër shqiptar po bën jehonë në botën e shkencës ndërkombëtare. Dr. Xhoela Bame, kërkuese shkencore dhe studiuese postdoktorale në Universitetin e Oxford-it, është përfshirë në listën prestigjioze “Forbes 30 Under 30 Europe”, si një nga mendjet më me ndikim në Europë nën moshën 30 vjeç. E lindur në Korçë dhe me një rrugëtim akademik të jashtëzakonshëm, ajo po kontribuon në një nga fushat më sfiduese të shkencës moderne: kuptimin dhe trajtimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe ALS.
Puna e saj është cilësuar pioniere. Dr. Bame ka arritur të identifikojë mekanizma biologjikë që lidhen me riparimin e trurit dhe procesin e plakjes, duke zbuluar edhe mënyra për të dalluar shenjat e dëmtimit qelizor muaj përpara shfaqjes së simptomave. Sot, ajo po e çon këtë ekspertizë edhe më tej. Në Oxford, ajo drejton një projekt shumëdisiplinor që synon zhvillimin e trajtimeve rigjeneruese për sëmundje komplekse, përfshirë ato kardiometabolike si dështimi i zemrës. Duke përdorur teknologji të avancuara si hartëzimi hapësinor me qeliza staminale dhe organoide 3D, kërkimi i saj synon të ndihmojë trupin të shërohet vetë.
Rrugëtimi drejt këtij suksesi nuk ka qenë i lehtë. E diplomuar me rezultate maksimale në Universitetin Teknik të Stambollit, ajo vijoi studimet në SHBA, ku përfundoi doktoraturën në neuroshkencë në Dartmouth College. Gjatë karrierës, është vlerësuar me çmime prestigjioze dhe grante nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Shoqatën Amerikane të Zemrës.
Por ndoshta momenti më i veçantë ishte mënyra se si mësoi për përfshirjen në “Forbes”.
“E mora vesh rastësisht. Nuk e kisha parë email-in. Një shoqe më shkroi ‘urime, të pashë në Forbes’. U përpoqa të hap linkun, nuk funksionoi… dhe u ktheva sërish në laborator,” tregon ajo.
Vetëm më vonë, kur vëllai i dërgoi linkun nga Shqipëria, ajo e kuptoi vlerësimin e madh.
Për Dr. Bame, ky sukses ka edhe një dimension personal. “Është një lloj “hakmarrjeje e butë” për gjërat që nuk më janë dhënë në jetë. Në Shqipëri nuk mora kurrë medaljen e artë, edhe pse e doja më shumë për mamin sesa për veten,” shprehet ajo.
Sot, ajo është një nga zërat më premtues në shkencë, duke bashkëpunuar me studiues të nivelit më të lartë dhe duke qenë pjesë e forumeve ku marrin pjesë edhe laureatë të Çmimit Nobel. Historia e saj është dëshmi se suksesi në shkencë nuk vjen me zhurmë, por me vite pune të heshtur në laborator. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ky vlerësim ka kaq shumë peshë./abcnews.al


