Thuajse të gjithë ekipet Kombëtare kuqezi do të jenë të angazhuara në 15 ndeshje në muajin nëntor. Sfida zyrtare dhe miqësore janë në program për kuqezinjtë, duke nisur nga Kombëtarja e Futsallit, për të vijuar te moshat e më pas te Kombëtarja A dhe Shqipëria U-17 e vajzave.
Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të zbresë e para në fushë. Në datat 8 dhe 9 nëntor do të zhvillojë dy sfida miqësore kundër Malit të Zi, në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet.
Për Kombëtaret U19 dhe U17 janë në program në total gjashtë ndeshje kualifikuese për Europianin e këtyre grup-moshave. Shqipëria U19 do të luajë sfidat kualifikuese në Grupin 13, në datat 15, 18 dhe 21 nëntor kundër Irlandës, Belgjikës dhe Sllovenisë. Të gjitha ndeshjet kualifikuese të këtij grupi do të luhen në vendin tonë, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e FSHF-së.
Në datat 15, 18 dhe 21 nëntor do të luajë edhe Shqipëria U17 sfidat kualifikuese të Euro 23/24 për këtë grup-moshë. Kuqezinjtë janë pjesë e grupit 5 dhe do të udhëtojnë drejt Portugalisë, aty ku do të zhvillohen ndeshjet kualifikuese. Shqipëria U17 e drejtuar nga Ardi Behari do të luajë ndeshjen e parë ndaj vendasve të Portugalisë dhe më pas do të ndeshen ndaj Çekisë dhe Malit të Zi.
Fokusi kryesor është te Kombëtarja A. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të zhvillojë sfidën e parafundit kualifikuese në Grupin E, më datë 17 nëntor në transfertë ndaj Moldavisë. Kuqezinjve u mjafton vetëm një pikë për të siguruar matematikisht kualifikimin në “Gjermani 2024”. Tre ditë më vonë, më datë 20 nëntor, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në Grupin E ndaj Ishujve Faroe në “Air Albania”, në orën 20:45.
Shqipëria U21 do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e “Euro 2025”, të dyja në transfertë, fillimisht me Rumaninë më 17 nëntor, ndërsa më 21 nëntor do të luajnë ndaj Malit të Zi. Shqipëria U21 udhëheq grupin E me nëntë pikë, pas katër ndeshjeve të zhvilluara.
Kombëtarja U17 e vajzave do të luajë në datat 24, 27 dhe 30 nëntor, raundin e parë kualifikues të Euro 2024. Të tre sfidat do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit” fillimisht ndaj Uellsit, e më pas ndaj Ishujve Faroe dhe Kazakistanit.
KALENDARI I NDESHJEVE TË EKIPEVE KOMBËTARE NË MUAJIN NËNTOR:
Kombëtarja A – Kualifikueset e Euro 2024
Moldavi-Shqipëri 17.11.2023, ora 18:00
Shqipëri-Ishujt Faroe 20.11.2023, ora 20:45
Kombëtarja U21 – Kualifikueset e Euro 2025
Rumani-Shqipëri 17.11.2023, ora 19:30
Mal i Zi-Shqipëri 21.11.2023, ora 15:00
Kombëtarja U19 – Kualifikueset e Europianit
Irlande-Shqipëri 15.11.2023, ora 14:00
Belgjike-Shqipëri 18.11.2023, ora 14:00
Shqipëri-Slloveni 21.11.2023. ora 14:00
Kombëtarja U17 – Kualifikueset e Europianit
Portugali-Shqipëri 15.11.2023, ora 18:00
Çeki-Shqipëri 18.11.2023, ora 14:00
Shqipëri-Mal i Zi 21.11.2023. ora 17:00
Kombëtarja e Futsalit – Miqësore
Shqipëri-Mal i Zi 08.11.2023, ora 19:00
Shqipëri-Mal i Zi 09.11.2023, ora 17:00
Kombëtarja U17 e vajzave – Raundi i parë i kualifikueseve të Euro 2024
Uells-Shqipëri 24.11.2023, ora 14:00, Shtëpia e Futbollit
Ishujt Faroe-Shqipëri 27.11.2023, ora 14:00, Shtëpia e Futbollit
Shqipëri-Kazakistan 30.11.2023, ora 14:00, Shtëpia e Futbollit /FSHF