Vatrat e zjarrit vazhdojnë që të përhapen në disa zona të vendit, kryesisht më problematike në Veri. Në përditësimin e situatës pasditen e sotme Ministria e Mbrojtjes raporton se zjarri në Malin e Tërbunit në Pukë, vazhdon të jetë problematik. Sipas njoftimit, 50 efektivë të FA, 12 zjarrfikës, 8 punonjës të shërbimit pyjor dhe 20 vullnetarë po punojnë për mbajtjen në kontroll te situatës që të mos rrezikohet kurora e qytetit te Pukës.
Në fshatin Flet, në Fushë Arrëz situata është vënë në kontroll, thotë ministria ndërsa në fshatin Dardhë situata paraqitet më problematike për shkak të bimësisë së dendur. Është riaktivizuar vatra e zjarrit ndërmjet fshatrave Drisht, Mazrek, Lundertune dhe Rragam në njësinë administrative Guri Zi dhe Pobtribe duke e kthyer këtë zonë me 3 vatra zjarri.
25 trupa nga FA dhe 30 forca të tjera të pushtetit vendor kanë ndihmuar që situata në fshatin Patale në Lezhë të paraqitet e përmirësuar. Ndërsa në Mirditë, zjarri zhvillohet me intensitet të ulët. “Në vatrën e zjarrit në fshatin Thirrë, ka vijuar puna në terren nga 40 trupa të FA dhe 14 nga strukturat vendore. Nga ajri po kryen ndërhyrje me helikopterin holandez” thuhet në njoftim.
Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, vazhdon të jetë problematike. Në terren po punojnë 15 trupa nga FA dhe 20 forca nga strukturat vendore. Situata është e vështirë për shkak të terrenit të thyer.
Zjarri ne fshatin Kaçni, njësia administrative Selishtë në Dibër, vazhdon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore në terren të vështirë. Sot në terren po punojnë janë 15 trupa nga FA dhe 18 forca nga strukturat vendore. Sipas vlerësimit të punës së bërë në terren mendohet qe deri në fund të ditës së sotme të arrihet të bëhet izolimi i vatrës.
Ndërkohë që vatra zjarri janë aktivizuar në Gurin e Nikës në Pogradec; në vendin e quajtur kodrat e Divjakës pranë parkut Kombëtar Divjakë; në fshatin Fushë Arrëz në Luftinjë si dhe në fshatin Kamican në Elbasan ku për të gjitha vatrat po punohet për mbajtjen nën kontroll të situatës./ Abcnews.al