Nga Inter te golashënuesi më i mirë i ligës turke, “Feniksi” Rey Manaj i cili pritet të jetë rreziku numër një i EURO 2024

schedule12:08 - 31 Maj, 2024

schedule 12:08 - 31 Maj, 2024

Gazeta spanjolle, “Mundo Deportivo” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rey Manaj, që para pak vitesh ka qenë pjesë e Barcelonës B, duke pasur mundësinë që në disa raste të stërvitej me lojtarë të mëdhenj të ekipit të parë të “blaugranave”.

Manaj ka mbyllur një sezon fantastik në Superligën e Turqisë me Sivassporin duke shënuar 18 gola dhe 3 asistime në kampionat dhe duke qenë në listën e golashënuesve vetëm pas emrave të mëdhenj si Mauro Icardi dhe Edin Dzeko.

Sulmuesi shqiptar shënoi edhe kater gola tjerë në Kupën e Turqisë duke bërë që emri i tij të jetë i domosdoshëm në listën e Sylvinhos për Euro 2024, por edhe të përmendet shumë nga mediat europiane.

Një nga to është edhe gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, e cila i ka kushtuar një artikull me titullin: “Nga skuadra B e Barçës te liga turke, kujdes për këtë rrezik potencial për Spanjën në Euro 2024”.

“Si një Feniks, sulmuesi shqiptar Rey Manaj është ngritur nga hiri dhe synon të bëhet një nga lojtarët më të spikatur të Shqipërisë për “Euro 2024”, i drejtuar nga një fytyrë e njohur për tifozët e Barcelonës, Sylvinho”, thuhet në fillimin e tekstit të gazetës “Mundo Deportivo”.

“Mundo Deportivo” shton se “nuk ka qenë aspak fushë me lule për sulmuesin, i cili madje kaloi 6 muaj pa ekip, pasi ndërpreu kontratën me Ëatfordin në kampionatit anglez, në shkurt 2023. Ai që ishte lojtar i Barcelonës B nga viti 2019 deri në verën 2021 dhe diti të përfitonte nga “treni i fundit” që iu prezantua për të vazhduar në elitën europiane.

“Në vitin e parë në ligën turke, ai ka arritur të përfundojë një sezon mbresëlënës, duke marrë parasysh numrin e golave ​​të shënuar. Në fakt, Rey Manaj e ka përfunduar sezonin si golashënuesi i tretë më i mirë në elitën e futbollit turk, me 18 gola, pas dy golashënuesve të klasit botëror si Mauro Icardi (25 gola) dhe Edin Dzeko (21 gola)”, shton gazeta katalunase.

“Shifrat e sulmuesit shqiptar këtë sezon janë më inkurajueset: në 36 ndeshje që ka luajtur mes kampionatit dhe kupës, ai ka shënuar 22 gola (ka dhënë dhe 3 asiste). Pra, ka qenë thelbësore për Sivasspor, që skuadra e tij të përfundonte në vendin e shtatë në renditje. Puna e mirë si ‘9’ në Turqi i ka mundësuar Manajt të futet në listën e kombëtares shqiptare për Europianin e kësaj vere, rivalin e Spanjës në grupin B.

“Sulmuesi ishte në prag të një rekordi me ekipin e parë, në vitin e parë të Ronald Koeman si trajner aty, më 2021. Manaj përfundoi një sezon të mirë me Barcelonën B, çka nuk kaloi pa u vënë re nga trajneri holandez, i cili e rekrutoi atë për përgatitjet parasezonale. Për shkak të situatës së vështirë financiare të klubit, u spekulua rreth një promovimi të mundshëm të shqiptarit në ekipin e parë.

Me situatën e tij në harresë, sulmuesi përfundoi duke u larguar nga “Can Barça” në ditën e fundit të tregut të transferimeve për te Spezia, atëherë në Serie A, si huazim. Performanca e tij ishte diskrete dhe përfundoi duke u kthyer në Barcelonë, më pas u largua si lojtar i lirë tek Watford. Në kampionat, ai gjithashtu nuk arriti të tregonte veten dhe një dëmtim në mes të sezonit çoi në ndërprerjen e kontratës me anglezët, me marrëveshje të përbashkët.

Pas 6 muajsh pa ekip, verën e kaluar mbërriti si lojtar i lirë te Sivasspori. Tashmë, në moshën 27-vjeçare ka arritur ta rinisë karrierën e tij dhe të fitojë interesin e skuadrave nga Franca dhe Spanja. Në klubin e tij vlerësohet 15 milionë euro”, mbyll shkrimin për “Mundo Deportivo”./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!