Nga futbolli i lagjeve, te titulli me Tiranën: Rrëfehet kampioni Jurgen Çelhaka

schedule14:59 - 23 Gusht, 2020

schedule 14:59 - 23 Gusht, 2020

I riu tiranas, Jurgen Çelhaka, ende nuk ka mbushur të 20-tat, por është shpallur kampion me ekipin e Tiranës dhe ka luajtur 30 ndeshje vetëm në këtë sezon, 6 më pak se numri total i ndeshjeve që ka zhvilluar ekipi i tij i zemrës në kampionat. Në një intervistë për fshf.org, ai tregon se si u bë pjesë e futbollit dhe sakrificat që ka bërë dhe vazhdon e bën për këtë lojë. Një ndër synimet e tij është të luajë jashtë Shqipërisë. Çelhaka ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë dhe tani është pjesë e kombëtares U-21, duke zhvilluar edhe disa ndeshje në drejtimin e Alban Bushit.

-Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
-Kur isha i vogël, luaja shumë me shokët në lagje, ku pavarësisht se vritesha, dëshira për të qenë pjesë e kësaj loje ishte më e madhe se dhimbja e këmbëve apo duarve. Gjithashtu, ndeshjet e kombëtares ishin një tjetër burim frymëzimi për mua. Ato ma shtonin edhe më shumë dëshirën për t’iu futur rrugës së mrekullueshme të futbollit.

 

-Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
Njeriu i parë që më afroi me këtë sport ka qenë babai im. Ai e shihte se sa unë e doja futbollin dhe pa tek unë cilësitë e veçanta që kisha. Kështu, ai investoi tek unë, duke më futur në Akademinë e KF Tiranës dhe unë mos të luaja më thjesht futboll në lagje, por të stërvitesha në mënyrë të plotë dhe në të ardhmen të bëhesha futbollist profesionist.

-Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
Të gjithë kur jemi të vegjël, pavarësisht ku luajmë, në lagje të pashtruara a në lagje të shtruara, në fusha të mëdha futbolli apo kalçeto, kemi vetëm një ëndërr: Të luajmë me kombëtaren shqiptare. Fatmirësisht, kjo ëndërr u bë realitet për mua dhe unë kam qenë dhe jam shumë i lumtur. Nuk dua të përsëris të tjerët, por i besoj të gjithë kur thonë që është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

 

Jurgen Çelhaka (Tirana)

-I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
-E vërteta është që nuk i shikoj të gjitha, por ato që shikoj, bëj shumë autokritikë për gabimet trashanike që mund të kem bërë. Rishikimi i ndeshjeve është një formë stërvitjeje që i bëj vetes.

-Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?
-Akoma nuk kam mbushur 20 vjeç dhe jam shpallur kampion i Shqipërisë me ekipin tim të zemrës, Tironën. A ka moment më të lumtur se ky?

 

-Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
-Sakrifica më e madhe që kam bërë dhe vazhdoj e bëj akoma është të shoh shokët e mi teksa dalin pa problem, ndërsa unë jo, sepse më duhet të mbaj regjim sepse mund të kem ndeshje ose stërvitje.

-Çfarë synimi ke për të ardhmen?
Dëshira e madhe që kam dhe synimi im është që të luaj në një ekip të nivelit të mirë jashtë Shqipërisë dhe të arrij kombëtaren A.

 

 

-Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?
Kam marrë shumë këshilla, nga shumë njerëz të botës së sportit, por këshilla që e mbaj vëth në vesh është se asgjë nuk është falas. Vetëm me punë dhe me regjim, mund t’ia dal të bëhem një futbollist i madh.

-Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
Nuk kam një idhull në veçanti, por të gjithë lojtarët e kombëtares i shikoj si shembull për t’u ndjekur. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!