Nga forcimi i muskujve tek përmirësimi i shikimit, pse duhet të konsumoni më shumë spinaq

schedule21:58 - 1 Shtator, 2020

schedule 21:58 - 1 Shtator, 2020

Spinaqi njihet për benefitet e shumta që ka në shëndet, por niveli i hekurit nuk është i vetmi fakt që e bën atë një “super ushqim”. Spinaqi mund ta bëjë trupin më të shëndetshëm dhe më të fortë në shumë mënyra, duke filluar që nga shkëlqimi i lëkurës dhe deri tek përmirësimi i procesit të tretjes, shkruan abcnews.al.

Forcon kockat dhe muskujt.

Spinaqi është i pasur me shumë vitamina, minerale dhe lëndë ushqyese si hekur, magnez, kalium, mangan dhe vitaminë C. Magnezi që gjendet në spinaq mund të forcojë muskujt dhe sistemin nervor. Për më tepër, spinaqi mund t’ju ndihmojë të mbani kockat të shëndetshme dhe të parandaloni osteoporozën.

Përmirëson shikimin dhe e bën atë më të mprehtë.

Luteina dhe zeaksantina që gjenden në spinaq, ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të syve. Sipas ekspertëve, njerëzit që përfshijnë spinaq në dietën e tyre janë më pak të rrezikuar nga zhvillimi i kataraktit dhe problemeve të tjera që lidhen me moshën, të cilat janë shkaqet kryesore për përkeqësimin e shikimit që mund të çojnë deri në verbim.

Përmirëson qarkullimin e gjakut.

Spinaqi është i pasur me kalium, i cili lufton presionin e lartë të gjakut. Ai gjithashtu ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Megjithatë, duhet patur parasysh se konsumimi i ushqimeve të shëndetshme nuk i zëvendësojne ilaçet. Presioni i lartë i gjakut mund të jetë i rrezikshëm, prandaj është e rekomandueshme që t’i nënshtroheni një ekzaminimi mjekësor.

Flokët dhe lëkura juaj bëhen më të shëndetshme dhe më të bukura.

Spinaqi është një burim i mirë i vitaminës A, e cila është shumë e rëndësishme për shëndetin si dhe për lëkurën dhe flokët. Kjo vitaminë mbron qelizat tona nga radikalet e lira. Mungesa e saj mund të shkaktojë rënie të flokëve dhe mund ta bëjë lëkurën të thatë. Vitamina C, e cila gjithashtu gjendet në spinaq, kontribuon në krijimin e kolagjenit që i jep strukturë lëkurës dhe flokëve.

Përmirëson tretjen.

Përveçse është i pasur me vitamina dhe lëndë ushqyese, spinaqi përmban shumë fibra që e bëjnë procesin e tretjes më të shëndetshëm dhe më të rregullt. Spinaqi është një produkt me shumë përfitime shëndetësore, megjithatë nuk e zëvendëson ndihmën mjekësore profesionale. /abcnews.al/