Nga Dylber Balla
Jemi mësuar që në prag të zgjedhjeve politika të afrojë figura të njohura dhe të dashura për publikun nga fusha të ndryshme për të tërhequr elektoratin. E njëjta gjë po ndodh edhe për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm nga të dyja kampet. Nga PD-ja, mes atyre emrave që kanë spikatur javët e fundit janë ish-lojtari i kombëtares Andi Lila dhe ish-kampioni i mundjes, Sahit Prizreni, që u konfirmua nga anëtarësia e PD-së në Kukës duke kaluar fazën e dytë në garën për kandidat për deputet. Por cila ishte shkëndija që e shtyu ish-kampionin e mundjes dhe flamurmbajtësin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Pekinit në 2008, që të linte tapetin për politikën? Në një intervistë për Abcnews.al ai thotë se arsyet janë tre; orientimi i djathtë i familjes, ndihma sportin, por edhe komunitetin që e propozoi për të kandiduar.
Intervista e plotë me Sahit Prizrenin
Ju keni qenë mbajtës i Flamurit Kombëtar në Lojërat Olimpike, ndërsa tani do të garoni për flamurin e një partie, si e more vendimin për të kaluar nga “tapeti” në politikë?
Fakti që në gjithë këto vite kam përfaqësuar vendin tim dhe jo vetëm, ka qenë një kontribut që i kam bërë vendit, familjes dhe pastaj vetes sime. Kalimi nga një profil, që është sporti, te aspekti i politikës është pothuajse e njëjta linjë për mua, nuk ka ndonjë ndryshim. Mendoj që është më e dobishme për të qenë aktiv për të bërë një ndryshim. Mendoj që një mendim ndryshe, i pavarur dhe kushtëzuar i vlen komunitetit që përfaqësoj.
Ju e dini që gjithçka është e politizuar…
Unë me bindje kam qenë gjithmonë i djathtë dhe nuk kam përfituar politikisht. Pas gjithë këtyre viteve aktivitet në sport, mendoj që kam mundësi që t’i shërbej më shumë vendit tim duke qenë prezent. Nuk më tremb fakti që njerëzit mund të shikojnë blu apo kuq, pasi parimet e Sahitit apo komunitetit nuk kam ndërmend t’i shkel për partinë dhe ndonjë individ.
Ju kaloni nga sporti në politikë vetëm për t’i shërbyer sportit?
Absolutisht unë vij nga sporti dhe qëllimi është për t’i shërbyer sportit që është lënë në hije gjithë këto vite, duke e vuajtur edhe vetë këtë qoftë si sportist apo trajner.
Cilat janë objektivat konkretë?
Fakti që unë po përfshihem, sporti ka nevojë për përfaqësi me programe dhe me gjëra konkrete dhe jo teori si deri tani. Politika konkrete për t’i dhënë sportit hakun që i takon. Sporti është nënçmuar, është neglizhuar. Unë dua të jem një zë, sa do të arrihet, vetëm koha e zbulon.
Është e vërtetë që përpara se të merrni vendimin keni pasur një takim me kryetarin e PD-së Basha?
Lulzim Bashën e kam takuar disa herë, sa herë që kemi pasur angazhime, hera e fundit në Londër, në një takim që është bërë me emigrantët shqiptarë vitin e kaluar.
Aty ua bëri ofertën?
Jo, kjo nuk është cështje oferte, unë vij nga strukturat
Aty ishte nxitja, cfarë iu tha Basha?
Që të jem i sinqertë, nuk është se kam bërë ndonjë bisedë me konkrete me kryetarin, po presim. Jemi në një pikë përfaqësimi, nuk ka asgjë konkrete, projekte apo premtime njëri tjetrit.
Ku besoni më shumë te renditja që do ju vendosë Basha në listë, apo te populli?
Absolutisht te renditja që do të vendosë populli. Nuk është se kam ndonjë pritshmëri të jashtëzakonshme te kjo pjesë, jam në hapat e mia të parë të këtij angazhimi, nuk do të zhgënjehesha. Në të vërtetë një nga arsyet e forta që kam marrë përsipër këtë angazhim ka qenë fakti i votës së hapur, votës së lirë për individët dhe fakti që nuk është realizuar është një minus i madh. Jam realisht i zhgënjyer si u vendos kodi zgjedhor, por duke qenë pjesë e kësaj loje jam i detyruar që të ndjek rregullat e lojës. Kam marrë përsipër t’i shërbej komunitetit sportit, nuk është se patjetër duhet të jetë deputet t’i shërbej politikës, puna më e madhe bëhet në terren. Pritshmëritë personale janë shumë të mëdha. Besoj te vetja dhe njerëzit që përfaqësoj. Unë garoj se besoj se mund të bëj një ndryshim.
Ju jeni ish-sportist, ashtu si kryeministri, keni një mesazh?
Ai është basketbollist i dështuar. Fakti që sot sporti është në pikën më të dobët të të gjithë 30 viteve, ka njohur uljen më drastike që ekzsiton, ky kryeministër e ka lënë me buxhet qesharak, kjo tregon se ai nuk e kupton dot sportin, cfarë vlere ka për një vend.
Keni pasur oferta nga e majta?
Jo që nuk kam pasur, por nuk kam tentuar të afrohem, kam qenë i djathtë me vite, që fëmijë, familjare.
Më e vështirë mundja në tapet, apo do të jetë fjalimi më parlament?
Mendoj që kjo e dyta është dicka e re, mbetet për t’u parë nëse do të realizohet, por fakti që në tapet ke një individ dhe cdo gjë është në dorën tënde të bën aq të fortë dhe aq të dobët, ndërsa tani përgjegjësia është shumë e madhe, gjithë këto vite kam guxuar të marr përgjegjësi dhe në këtë rast nuk kam frikë të guxoj dhe tentoj. Luftë në vete….
db/Abcnews.al

