Me akt të datës 29 janar 2025, Gjykata e Romës, Seksioni XIV për falimentet ka shpallur mbylljen përfundimtare të procedurës së falimentimit të shoqërisë italiane “Atelier Realm srl”, pas shpërndarjes së aktiveve për kreditorët. Procedura kishte zgjatur gjashtë vjet.
Shoqëria, e cila punësonte rreth dhjetë persona, prodhonte çanta luksoze me markën VBH, të njohura ndërkombëtarisht dhe të përdorura nga emra si Gwyneth Paltrow, Jennifer Lopez, Uma Thurman, Sarah Jessica Parker dhe Michelle Obama. Fotografitë e tyre ishin ekspozuar edhe në showroom-in e kompanisë në Romë. Megjithatë, fama nuk u përkthye në qëndrueshmëri financiare: bilancet u mbyllën me humbje të thella dhe deficit strukturor.
Çantat VBH, që edhe sot shiten online me çmime deri në 14 mijë euro prodhoheshin në laboratorin e Pontassieve, në provincën e Firences, duke përdorur lëkura të rralla si piton, krokodil dhe lëkurë viçi. Dizajneri dhe pronari ishte amerikani Vernon Bruce Hoeksema, partner i stilistit Valentino Garavani dhe figurë e njohur në industrinë e modës që nga vitet ’90.
Hoeksema ka derdhur rreth 550 mijë euro në arkën e “Atelier Realm”, pas një marrëveshjeje transaksioni me administratorin e falimentimit. Sipas burimeve, kjo shumë mund të konsiderohet edhe si një paradhënie e mundshme trashëgimie. Aventurë sipërmarrëse rezultoi e pafat, duke lënë pas humbje milionëshe dhe përfshirë edhe një kompani tjetër bizhuterish të vënë në likuidim.
Pas ndarjes nga jeta të stilistit Valentino Garavani, më 19 janar, në moshën 93-vjeçare, vëmendja është përqendruar te trashëgimia, e cila paraqitet komplekse. Të paktën pesë subjekte konsiderohen trashëgimtarë të mundshëm, pa lidhje të drejtpërdrejtë pasardhëse.
Mes tyre janë: partneri Vernon Bruce Hoeksema (68 vjeç); ish-partneri, bashkëpunëtori historik dhe miku i përjetshëm Giancarlo Giammetti (83 vjeç); nipi Piero Villani (77 vjeç), figurë kyçe në strukturat menaxheriale të perandorisë Valentino; familja e brazilianit Carlos Souza me djemtë Sean dhe Anthony; si dhe Fondacioni Valentino-Giammetti me mision filantropik.
Mbetet e paqartë lidhja familjare e Oscar Garavani-t, i përmendur si “stërnip” i stilistit. Testamenti pritet të sqarojë ndarjen e pasurisë, ndërsa vlerësimet për shuma miliardëshe konsiderohen të ekzagjeruara.
Një nga nyjet kryesore mbetet likuiditeti. Qarkullojnë informacione për një llogari bankare në Londër, pranë Coutts & Company, bankë private britanike e njohur për administrimin e pasurive të elitës ndërkombëtare.
Garavani dhe Giammetti kanë jetuar në Londër për më shumë se një dekadë, pas shitjes së shtëpisë së modës Valentino në vitin 1998 për rreth 260 milionë euro. Më pas, stilisti rezultonte rezident në Zvicër, në Gstaad, deri të paktën në vitin 2021. Statusi i rezidencës dhe origjina e kapitaleve do të jenë elementë kyç në procedurën e trashëgimisë.
Trashëgimia më e qëndrueshme përbëhet nga pasuritë e paluajtshme dhe jahtet: vila romane me mbi 30 dhoma, e regjistruar në bilanc me vetëm 1,6 milionë euro; kështjella e Wideville në Francë, e blerë në vitin 1995 për rreth 12 milionë euro; shtëpia në Toskanë dhe chalet-i në Gstaad.
Një pjesë e rëndësishme e koleksionit të artit përfshirë vepra të çmuara të Picasso-s, ndodhet në rezidencën e Holland Park në Londër dhe në apartamentin e Park Avenue në Nju Jork. Edhe këto asete mbeten ende pa një vlerësim përfundimtar.
Në listën e pasurive përfshihet edhe jahti “TM Blue One”, 46 metra i gjatë, i ndërtuar në vitin 1988, me një kosto vjetore mbi 1 milion euro dhe vlerë aktuale rreth 12,4 milionë euro.


