Në studion e “ABC të Mëngjesit”, Mirjeta Bajramaj, ish-banore e Big Brother Albania 4, solli një rrëfim të sinqertë për jetën e saj përtej famës televizive.
Shkodrania që hyri në shtëpinë më të famshme shqiptare vetëm 23 vjeçe, sot është një ndër shqiptaret më aktive në botën e sipërmarrjes në Britaninë e Madhe. Ajo thotë se Big Brother-i ishte një eksperiencë që e shijoi dhe i dha vëmendjen që kërkonte, por jeta e saj e vërtetë nisi kur u kthye në Londër.
Mirjeta ka udhëtuar në mbi 50 vende të botës dhe e sheh udhëtimin si mënyrën më të mirë për t’u shkëputur nga ritmi i lartë i punës. Pavarësisht shumë angazhimeve, ajo arrin të gjejë kohë për bashkëshortin dhe fëmijët, duke pranuar se roli i nënës është sfida më e madhe e jetës së saj.
Sot, ajo menaxhon disa biznese paralelisht: një qendër estetike në Britani, një aktivitet të shitblerjes së makinave dhe pasuri të paluajtshme në Shqipëri që i viziton shpesh. Mirjeta rrëfen me humor se vizitat në Shqipëri i ka të shpeshta pikërisht për të kontrolluar pronat familjare që i ka me qira.
Nënë e tre fëmijëve, ku më i vogli është vetëm 3 muajsh, ajo thotë se surprizoi të gjithë me ardhjen e bebit të fundit./abcnews.al

