Sylvinho nuk mund ta imagjinonte kurrë se do ta gjente veten të ulur para një laptopi dhe duke marrë shënime nga ndeshjet e Wycombe Wanderers (ekip në kategorinë e tretë të futbollit anglez).
Pas një darke me presidentin e FSHF-së në Milano, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester City, u pajtua të merrte drejtimin e kombëtares.
Herët në 2023, ai mbërriti në zyren e tij në Tiranë së bashku me ish-mbrojtësin e City dhe West Hami, Pablo Zabaleta, dhe me ish-mesfushorin e Middlesbrough, Doriva, si asistentët e tij.
Në total ata shikuan 240 klipe të ndeshjeve për të krijuar një listë fillestare prej 70 futbollistëve, dhe më pas e shkurtuan në 39 dhe më në fund në 23, për ndeshjen e tyre hapëse ndaj Polonisë në kualifikimet për Euro 2024.
Mes tyre ishte edhe sulmuesi anësor i Wycombes, Anis Mehmeti.
Ai nuk ishte paraqitur kurrë për të rriturit e Shqipërisë deri në atë moment, por u ftua si pjesë e procesit të rindërtimit që Sylvinho filloi që nga dita e parë.
“Zabaleta luajti për një kohë të gjatë në Angli, kështu që ai ende ka kontaktet e tij atje dhe na solli disa informacione për Mehmetin,” tha Sylvinho për “BBC Sport”.
“Ne filluam ta shikonim atë në League One, por, menjëherë pas kësaj, ai nënshkroi me Bristol City në Championship, duke na bërë të mendojmë se potencialin që po shohim këtu, po e shohin edhe të tjerët. Ne e dinim se kishte shumë shqiptarë si ai që luanin jashtë vendit”.
Ajo punë e palodhur dha frytet e veta.
Pavarësisht se humbi ndeshjen e parë 1-0 kundër Polonisë, Shqipëria qëndroi e pamposhtur deri në fund të kampanjës së saj, duke përfunduar në krye të grupit dhe duke siguruar kualifikimin në Euro me një ndeshje para fundit.
Një arritje e tillë i dha Sylvinhos statusin e heroit lokal.
Do të jetë vetëm hera e dytë në historinë e tyre që “shqiponjat” do të jenë në Euro, pasi debutuan në vitin 2016.
“Unë jetoj në një hotel që është rreth 2 kilometra nga ndërtesa e Federatës, kështu që ndonjëherë kthehem në shtëpi përmes një parku të bukur dhe takoj tifozët. Zakonisht vijnë tek unë dhe më thonë ‘respekt, mister’”, thotë me buzëqeshje trajneri 50-vjeçar.
Nuk do të jetë më e lehtë në Gjermani, pas një shorti që vendosi Shqipërinë përkrah Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.
“Ne nuk do të shkojmë atje për kënaqësi gjithsesi,” tha Sylvinho. “Puna jonë nuk ka përfunduar dhe, nëse kemi ndonjë shans për t’u avancuar në fazën eliminatore, do të luftojmë për të në të njëjtën mënyrë që bëmë në ndeshjet kualifikuese”.
Gjetja e lojtarit të përkryer të krahut në ligën e Koresë së Jugut
Pasi ka punuar më parë si asistent i kombëtares braziliane, midis korrikut 2016 dhe prillit 2019, futbolli ndërkombëtar nuk ishte i huaj për Sylvinhon.
Megjithatë, kjo ka qenë një përvojë krejtësisht e ndryshme nga ajo e mëparshmja.
Një nga vendimet e tij të para në krye të Shqipërisë ishte heqja e formacionit 3-5-2 të miratuar nga paraardhësit e tij dhe kalimi në 4-3-3.
Kishte vetëm një çështje me të cilën ai nuk ishte mësuar në vendin e tij: I duhej një lojtar që luan me këmbë të majtë për krahun e djathtë që sistemi të funksiononte. Por thjesht nuk e kishte një të tillë.
Kështu ai dhe stafi i tij u zhytën në bazën e të dhënave të federatës për të kërkuar një lojtar me këto karakteristika, duke dalë me dy emra – njëri prej tyre është 29-vjeçari Jasir Asani, i cili luan në Korenë e Jugut.
“Ne po shikonim video nga koha e tij në futbollin hungarez dhe unë mendoja, ‘kush është ky?’ Ai kishte gjithçka që dëshironim: ai ishte i mrekullueshëm në situatat një kundër një, mund të gjuante mirë dhe ishte i shpejtë”, ka thënë Sylvinho.
Në fund, gjithçka ia vlente.
Lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut pati një ndikim të madh dhe i përfundoi kualifikueset me tre gola dhe dy asistime në emër të tij.
“Ata dinë të godasin topin nga distanca”
Sylvinho beson fort se asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur nëse ai nuk do të kishte vendosur të linte familjen e tij në Porto dhe të transferohej në një dhomë hoteli në Tiranë.
“Ata më kanë thënë se e kuptuan se kjo do të funksiononte në momentin që unë njoftova se do të doja të jetoja këtu. Më ka lejuar të kuptoj plotësisht identitetin vendas dhe të jem 100% i përqendruar te puna”, tha trajneri, takimet e të cilit kryesisht zhvillohen në gjuhën italiane.
Stili i tij agresiv në sulm ka impresionuar edhe tifozët dhe ekspertët më skeptikë, të cilët fillimisht nuk ishin të bindur nga përvojat e tij të mëparshme në krye të Lyonit dhe Corinthiansit.
Shqipëria, në veçanti, ka bërë bujë për numrin e madh të golave të bukur që kanë shënuar drejt rrugës për Gjermani.
“Ata me të vërtetë dinë ta godasin topin nga distanca, e kanë atë në vete dhe e duan atë, kështu që unë i inkurajoj ta bëjnë këtë”, tha Sylvinho.
“Nëse ata mendojnë se kjo është gjëja më e mirë për të bërë, ju lutemi gjuani në drejtim të portës!”.