Nga akuzat për favorizimin e kultivimit të drogës, te rikthimi në detyrë, komisari përplas për vdekje 7-vjeçaren në Himarë

schedule15:56 - 2 Gusht, 2022

schedule 15:56 - 2 Gusht, 2022

Një ngjarje tragjike ka tronditur Himarën pasditen e sotme, 2 gusht 2022.

Një skaf ka goditur një fëmijë 7-vjeçar në plazhin e Potamit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 dhe për fat të keq i mituri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Arjan Tase është identifikuar si drejtuesi i skafit që përplasi fëmijën 7-vjeçar.

Arjan Tase

Ai është shoqëruar në komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij.

Në dëshminë paraprake, Tase ka deklaruar se ka pasur një problem teknik në skaf.

Sipas burimeve të ABC, Arjan Tase, është ish-shef i komisariatit në Himarë, ndërsa tashmë mban detyrën e Komisarit në Elbasan.

Në janar të 2021 u arrestua nga policia për shpërdorim detyre, pas një aksioni anti-kanabis “Hapësira”.

Së bashku me shefin e krimeve Artur Veshaj ata u akuzuan se lejuan kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës. Mirëpo, prokuroria nuk mundi të faktojë akuzat ndaj tyre. Ai u rikthye në detyrë dhe më pas është transferuar në Elbasan.

Lidhur me ngjarjen tragjike, Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimor.

Pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeç ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Aktualisht, shtetasi Arjan Tase ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë” thuhet në njoftimin e AMP-së.

Abc ka siguruar pamjet e rënda  nga tragjedia. Pushues të shumtë kanë filmuar pamjet pak sekonda nga ngjarja tragjike, ndërsa i afrohen skafistit Arjan Tase, duke i kërkuar llogari për atë që kishte bërë. Mes të tjerash në këtë video pushuesit dëgjohen të thonë se drejtuesi i mjetit një ish-efektiv policie ka kanosur dhe familjarët e vajzës së mitur.

“Shikoni, shikoni monstrën si bën trimin akoma. Mbylle mor gojën, kërcënoji, kërcënoji ato që iu vrare fëmijën, plumbin do hash. Ke gojë dhe flet ti”, dëgjohen që ti thonë pushuesit drejtuesit të skafit.

“Çfarë janë këta mor, shihni dhe si rri, çfarë është ai mor, çfarë është ai?”.thotë një pushues tjetër.

“A ke fëmijë ti ore” dëgjohet një pushues të thotë.

Në një moment vetë Arjan Tase dëgjohet teksa thotë “Jam unë… Nuk doja”.

Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Për disa javë, njëri prej pushuesve mori trajtim në spitalin e Traumës pasi ishte në gjendje të rëndë. Aktualisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut për jetën./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!