Ditën e sotme Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare. Mbledhja do të nisë në orën 10:00, në një kompleks të kryeqytetit.
Sipas agjendës, punimet do t’i hapë sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa pas tij do të mbajë fjalën edhe kryeministri Edi Rama.
Në asamble do të miratohen vendimet që janë marrë në kongresin e fundit. Pra ky organ do të mblidhet për zbatimin e vendimeve që u morën në Kongresin e 9 prillit.
Nga ky Kongres u shkarkuan në bllok 61 kryetarët aktualë të PS në rang bashkie, si dhe u bënë disa ndryshime në statut.
Këto vendime kanë të bëjnë si me ndryshimet statutore ashtu dhe me ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve të bashkive të PS, ndërprerje që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj. Gjithashtu do të miratohet agjenda politike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Sakaq, ABC nga burime ka mësuar se kryeministri Rama ka kërkuar llogari ndaj ministrave dhe deputetëve në lidhje me punën e bërë.
Agjenda e plotë:
Ditën e Shtunë, datë 07.05.2022, ora 10:00, në mjediset e kompleksit “Xibraku” në Tiranë do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë.
Rendi i ditës së mbledhjes do të jetë:
- Hapja e punimeve të Asamblesë nga Sekretari i Përgjithshëm z.Damian Gjiknuri.
- Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi RAMA.
Sesioni organizativ
- Prezantimi i ndryshimeve në Librin e Rregullave në zbatim të Statutit të ri të miratuar në Kongresin e datës 9.04.2022.
- Propozime/shtesa në draftet e rregulloreve dhe votimi i tyre.
- Miratimi i agjendës politiko/organizative dhe plan-veprimi i strukturave deri në zgjedhjet vendore 2023.
- Prezantimi dhe miratimi i projektvendimit për kuotizacionin e anëtarësisë së partisë për vitin 2022.
- Vendimi për plotësimin e vendeve vakante në Asamblenë Kombëtare.
- Diskutime të lira
- Mbyllja e punimeve të Asamblesë. /abcnews.al