Nga aeroporti i Vlorës tek Teatri, ekspertët: U shpërfill KE, do hapen dosjet për të majtë e të djathtë

schedule20:55 - 6 Korrik, 2021

schedule 20:55 - 6 Korrik, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive.  Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.

Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja  duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet  nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.

……………………..

Ligji i parë i miratuar për Aeroportin e Vlorës është një tjetër shembull që studiuesi e drejtori i programit të IDM, sjell sa i përket i projektligjeve që  nuk janë pjesë e programit analitik, e që propozohen në mënyrë të beftë. Ishte vetë kryeministri Edi Rama që e shpalli për herë të parë në 17 janar të vitit 2018 se qeveria sapo kishte marrë një ofertë zyrtare të pakërkuar për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë.

E siç tregon juristi, në më pak se 10 ditë pune , kohë e pamjaftueshme për të kaluar në të gjitha hallkat e hartimit  e shqyrtimit të tij, ligji u miratua. Pas publikimit të raportit  të Transparency International ““Zbërthimi i Kapjes së Shtetit në Shqipëri”  me bashkëautor Vurmon, kreu i Qeverisë  u mundua t’i përgënjeshtrojë parregullsitë, duke u ndalur vetëm tek varianti që pasoi i ligjit.

Ligji special për Aeroportin në variantin e parë, siç shpjegon Vurmo i vinte po ashtu “mandallin” mundësisë për të pasur një konkurs, ku të bënin propozimet e tyre edhe kompani të tjera. Por, këto, siç ai thekson,  nuk ishin të vetmet pika që bien ndesh me procedurat e ligjbërjes që njeh Kushtetuta.

Në raportin e “Transparency International” ky ligj shikohet si i ndërlidhur me krijimin e kompanisë “Air Albania”, por cilat ishin pikat përbashkuese mes tyre? Siç tregon juristi, Konsultimi publik  në këtë rast kur çdo gjë dukej se ishte vendosur paraprakisht dhe thjesht duhej të formalizohej, ishte  sa i pamundur të realizohej prej faktorit kohë, aq edhe i padobishëm.

Shembull tjetër, kur zëri i  grupeve të interesit dhe ekspertëve është injoruar haptazi, është sipas Vurmos, ai i Teatrit Kombëtar. Në raportin “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri”, ligji special  i fillim vitit 2018 që synonte ndërtimin e një teatri të ri kombëtar përmes një marrëveshje Partneritet Publik Privat me kompaninë private Fusha shpk, trajtohet si një rast i veçantë. Edhe kësaj radhe, siç u bë e ditur, kompania private kishte paraqitur një propozim të pakërkuar. Komuniteti i artistëve dhe disa ekspertë të fushës, vunë në dukje disa pika të ligjit që binin ndesh me Kushtetutën. Ndërkohë edhe Komisioni Europian, sugjeroi që negociatat e drejtëpërdrejta me një kompani private ishin në kundërshtim me ligjet e konurrencës.

Ajo që vihet re edhe në rastet e tjera të trajtuara në raportin e “Transparency International”, është se  Parlamenti, nga sugjerimet e marra për projektligjet, ka implementuar vetëm pikat e referuara nga të huajt, duke gjetur një shteg për shpëtimin e synimit të tyre fillestar. Kështu, siç tregon Vurmo,  në rastin e Teatrit Kombëtar,  pas variantit fillestar, u  hartua drafti i ri nr37/2018, me disa akte nënligjore të posaçme që sërish i lejonin  kompanisë Fusha Shpk të kishte status prferencial.

Ndonëse për shumicën e këtyre e këtyre ligjeve janë dashur vetëm 1/5-tat e votave, pengesat e kundërshtitë për parregullsitë, nuk ishin thuajse asnjëherë të brendshme. As nga deputetët në Kuvend, e as në filtrin e mëtejshëm të  Komisioneve Parlamentare këto projektakte nuk janë penguar.

Sot, qëndrimet kritike në Kuvend ndeshen kryesisht vetëm kur preken interesa vetjake a patriake. Por, ndërsa kundërshtimi i këtyre ligjeve nga ndërkombëtarët, e rishikimi i tyre nga vetë deputetët që i kanë propozuar e miratuar është një konfirmim i padiskutueshëm i problematikave, kujt duhet ti adresohen këto parregullësi?!

Deputetët janë ligjvënësit që duhet të përfaqësojnë interesin e zgjedhësve, të popullit shqiptar, a do të duhej që këta të fundit të jepnin llogari për rastet kur kanë shkelur mbi interesin publik dhe i kanë lënë rrugë të lirë korrupsionit?

Hezitimi i deputetëve të caktuar për të vënë firmën mbi këto ligje, do të ishte një sinjal frike i ndëshkueshmërisë penale, apo asaj historike. Por deri më tani, për rastet e “kapjes së shtetit”, asnjë deputet nuk është përgjigjur penalisht. Dritëhijet e ligjbërjes do të jenë një sprovë më shumë për “Vettingun”, për institucionet që janë krijuar për të garantuar konsolidimin e organeve të pavarura të drejtësisë. Reforma në drejtësi është në sytë e të gjithëve, nga do të anojë peshorja?! / Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!