Vicente Del Bosque është një ndër trajnerët më fitues në botën e futbollit. Ai dominoi në drejtimin e Real Madrid dhe kombëtares së Spanjës, të cilën e ngjiti në majën e botës në vitin 2010.
68-vjeçari ka shprehur mendimin e tij për “Cadena Ser”, në lidhje me më të mirët e lojës me top. Del Bosque flet edhe për pasardhësin e Messit dhe Ronaldos, ndërsa nuk e cilëson një shembull të mirë brazilianin Neymar.
“Për mua futbollisti më i mirë absolut është Leo Messi. Nuk i heq asnjë meritë Ronaldos, por ky është mendimi im. Gjithsesi janë dy futbollistë pa limite. Pasardhësi i tyre? Neymar sigurisht që jo. Braziliani bën shumë gjëra që nuk duhen bërë. Nuk është fare një shembull i mirë, pavarësisht se mbetet një futbollist fantastik.
Mendoj se Mbappe ka cilësitë për t’u bërë pasardhësi i Messit dhe Ronaldos. Real Madrid? Nuk mendoj se Zidane ka gabuar që u rikthye në stol. Ai ishte zgjidhja më e mirë e drejtuesve dhe pranoi që të rikthehej”, thekson Vicente Del Bosque. /abcnews.al