Neymar mund të largohet nga Paris SG

schedule19:30 - 17 Qershor, 2019

schedule 19:30 - 17 Qershor, 2019

Neymar mund të largohet nga Paris Sen Zhermeni. Klubi francez do të pranonte një ofertë të madhe për superyllin nga Brazili, por nuk do të lejonte largimin e sulmuesit Mbape.

Erdhi me bujë të madhe, dhe u mendua i pashitshëm, por kohët ndryshuan.

Neymar, blerja më e shtrenjtë e futbollit botëror, mund ta ndërpresë përpara kohe aventurën e tij me Paris SG, dhe kjo u pohua nga njeriu më i rëndësishëm i klubit francez.

Presidenti Naser Al Helaifi pohoi se superylli brazilian, i marrë për 222 milionë euro nga Barcelona, i ka dyert të hapura për të ikur, nëse nuk dëshiron të qendrojë, gjithnjë nëse vjen një ofertë që të cilësohet e jashtëzakonshme.

PSG dëshiron të paktën të marrë po aq para sa shpenzoi për t’ia blerë kartonin në 2017.

Cilat janë arsyet që parisienët mund të jenë të detyruar të lëshojnë Neymar?

Besohet se ata duan të përmirësojnë bilancin financiar të klubit, po ashtu mund të jenë lodhur nga konfliktet e krijuara prej tij në skuadër apo nga skandali i fundit ku akuzohet për përdhunim.

Jo më pak rëndësi ka fakti se numri 10 ka pësuar shumë dëmtime vitet e fundit, gjë që ngre dyshime për aftësinë e tij për të luajtur pa mungesa në nivele të larta.

Nejmar nuk është se nuk ka admirues.

Lionel Mesi mësohet se ka deklaruar që do të dëshironte të luante sërish në krah të brazilianit, siç ndodhte kur Barcelona shpallej kampione e Evropës në 2015.

Edhe presidenti i Realit, Florentino Perez, që sapo afroi yllin belg Eden Hazar, do të pëlqente të kishte në ekip një tjetër galaktik, që siguron edhe të ardhura të mëdha financiare.

Duke u kthyer tek Paris SG, klubi francez vërtet mund të pranojë të humbasë Neymar, por aspak Kilian Mbapenë.

Kampioni 20-vjeçar i botës vlerësohet si i pazëvendësueshëm në ekipin e trajnerit Tuhel.