Neuralink, kompania e implanteve të trurit të Elon Musk, mori lejen për të kryer provën e parë klinike te njerëzit nga organi rregullator kompetent i SHBA.
Miratimi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave shënon një moment historik të rëndësishëm për kompaninë.
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se kemi marrë miratimin e FDA për të kryer studimin tonë të parë klinik njerëzor,” njoftoi Neuralink përmes Twitter, duke e quajtur zhvillimin “një hap të rëndësishëm që një ditë do të mundësojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz”.
Elon Musk ka bërë një postim ku ka uruar ekipin e tij.
Kompania ka zhvilluar një pajisje që implantohet në mënyrë robotike në tru, duke deshifruar aktivitetin e trurit dhe duke e lidhur atë me kompjuterët. Deri më tani, Neuralink ka kryer vetëm kërkime mbi kafshët.
Kush është Neuralink?
E themeluar në vitin 2016 me seli në San Francisko, Kaliforni dhe Austin, Teksas, Neuralink ka mbi 400 punonjës.
Kompania po zhvillon një ndërfaqe, e cila mund të implantohet në tru në mënyrë kirurgjikale, me qëllim aplikimin e tyre mjekësor për trajtimin e rasteve deri tani të pashërueshme.
Kjo ndërfaqe bazohet në një pajisje Neuralink me një çip, i cili përpunon dhe transmeton sinjale nervore, të cilat mund të transmetohen në pajisje të tilla si një kompjuter ose një smartphone. Kompania shpreson të bëjë të mundur që një person të mund të kontrollojë një mi, tastierë ose funksione të tjera kompjuteri, të tilla si mesazhet me tekst, përmes mendimeve të tyre.
Qëllimi kryesor është zhvillimi i një implanti elektronik në tru, i cili, do të ketë ndikime mjekësore, si për shembull t’i bëjë njerëzit me paraplegji të ecin dhe të komunikojnë përsëri, t’u rikthejë “dritën” njerëzve me probleme me shikimin, por gjithashtu për trajnojë njerëzit me demencë, Alzheimer dhe Parkinson.
Produkti i parë që do të krijojë Neuralink do t’i lejojë dikujt me paralizë të përdorë një telefon inteligjent me mendjen e tij dhe më shpejt se dikush që përdor gishtin e madh”, tha Elon Musk vitin e kaluar në prill.
Qëllimet e saj afatgjata janë të kombinojë trurin e njeriut me inteligjencën artificiale.
Vihet re se kompania konkurruese, Synchron, duket se është përpara zhvillimeve, pasi në korrik implantoi një çip tek një pacient në SHBA për herë të parë, ndërsa e kishte testuar edhe te katër persona në Australi.