Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha në një intervistë për rrjetin “ABC News” se ushtria izraelitë do të futet në qytetin Rafah, në kufi me Egjiptin dhe se po hartohet një “plan i detajuar” për t’i zhvendosur civilët. Por një operacion i tillë ka ngjallur shumë kritika dhe frikë për përhapjen e konfliktit. Së fundmi, Egjipti tha se do të pezullojë traktatin e paqes me Izraelin, nëse dërgohen trupa ushtarake në Rafah. Katari, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë paralajmëruar gjithashtu për pasoja të rënda.
Egjipti tha se do të pezullojë traktatin e paqes me Izraelin, nëse trupat izraelite dërgohen në qytetin kufitar të Gazës, Rafah. Kërcënimi për të pezulluar marrëveshjet e arritura në “Camp David”, një gur themeli i stabilitetit rajonal për gati një gjysmë shekulli, erdhi pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se dërgimi i trupave në Rafah ishte i nevojshëm për të fituar luftën kundër grupit militant “Hamas”.
Në një intervistë për rrjetin ABC, kryeministri Benjamin Netanyahu sugjeroi se civilët në Rafah mund të ikin në veri, duke thënë se ka “shumë zona” që janë pastruar nga ushtria.
“Është pjesë e përpjekjeve tona të luftës për t’i larguar civilët nga rreziku. Është pjesë e përpjekjeve të Hamasit që civilët të rrezikohen. Por ja kemi dalë deri tani dhe do të vazhdojmë të kemi sukses. Ata që thonë se nuk duhet të futemi në Rafah në asnjë rrethanë, në thelb po thonë që ta humbasim luftën, dhe mbajtur Hamasin atje”.
Ai tha se Izraeli po harton një “plan të detajuar” për t’i zhvendosur civilët. Zoti Netanayahu tha se Hamasi ka ende katër batalione atje.
Por ofensiva izraelite ka shkaktuar shkatërrime të mëdha, veçanërisht në Gazën veriore, ndërsa luftime të ashpra po zhvillohen ende në Gazën qendrore dhe qytetin jugor Khan Younis. Një operacion tokësor në Rafah mund të detyrojë gjithashtu mbylljen e pikëkalimit kufitar, duke ndërprerë një nga rrugët e vetme për dërgimin e ushqimit dhe furnizimeve mjekësore shumë të nevojshme.
Katari, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë paralajmëruar gjithashtu për pasoja të rënda nëse Izraeli dërgon forca tokësore në Rafah.
Përplasja mes Izraelit dhe Egjiptit, dy aleatë të ngushtë të SHBA-së, vjen ndërsa grupet e ndihmës paralajmërojnë se një ofensivë në Rafah do të përkeqësonte situatën tashmë katastrofike humanitare në Gazë.
Po ashtu stacioni televiziv Al-Aqsa i Hamasit citoi një zyrtar të paidentifikuar të grupit militant të thoshte se çdo operacion në qytetin Rafah do të “hidhte në erë” bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari që synonin një armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelitë. Ka edhe fërkime në rritje midis Netanyahut dhe Shteteve të Bashkuara.
“Një ofensivë izraelite në Rafah do të çonte në një katastrofë humanitare të papërshkrueshme dhe tensione të rënda me Egjiptin,” shkroi shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në rrjetin social X.
Mbi gjysma e popullsisë prej 2,3 milionë banorësh e Gazës është vendosur në Rafah për t’u shpëtuar luftimeve.
Kombet e Bashkuara thonë se ky qytet, i cili normalisht është strehë e rreth 300 mijë njerëzve, tani pret 1,4 milionë të tjerë që ikën nga lufta dhe është “shumë i mbipopulluar”.
Në një tjetër zhvillim, ushtria izraelite njoftoi se kishte zbuluar tunele nën selinë kryesore të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në qytetin e Gazës.
Sipas ushtrisë izraelite militantët e Hamasit e përdorën hapësirën për furnizim me energji elektrike. Zbulimi i tuneleve shënon përplasjen e radhës mes Izrelit dhe agjencisë së OKB-së, të cilën e akuzon për bashkëpunim me Hamasin.
Ushtria ftoi gazetarët që të shikonin tunelet. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Izraeli nuk provoi se militantët e Hamasit i përdornin këto tunele, por tregoi se të paktën një pjesë e tunelit kalonte nën oborrin e objektit. Agjencia UNRWA thotë se nuk kishte njohuri për tunelin dhe kritikoi operacionin izraelit për shkatërrimin e kampusit të tij.
Ndërkohë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë 96 orëve të fundit kanë vrarë dy pengje izraelite dhe kanë plagosur rëndë tetë të tjerë, tha të dielën krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al Qassam, përmes kanalit Telegram të grupit. Informacionet nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit tha të martën se 31 nga pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza kishin vdekur.
Gjithsej 28176 palestinezë janë vrarë dhe 67784 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha ministria e shëndetësisë e Gazës që kontrollohet nga grupi militant Hamas./VOA