Netanyahu konfirmon bisedën telefonike me Trump, fokus i diskutimeve Siria dhe pengjet në Gaza

schedule20:19 - 15 Dhjetor, 2024

schedule 20:19 - 15 Dhjetor, 2024

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi bisedën telefonike mbrëmjen e së shtunës me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, rreth zhvillimeve në Siri dhe përpjekjeve të fundit për të siguruar lirimin e pengjeve izraelitë dhe të huaj të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Netanyahu thotë se ishte një “bisedë shumë miqësore, shumë e ngrohtë dhe shumë e rëndësishme”.

“Ne jemi të përkushtuar për të parandaluar riarmatimin e Hezbollahut. Ky është një test i vazhdueshëm për Izraelin, ne duhet ta përmbushim atë.”, u shpreh Netanyahu.
Netanyahu përsëriti se sulmet e fundit ajrore kundër objekteve ushtarake siriane janë kryer për të siguruar që armët nuk do të përdoren kundër Izraelit në të ardhmen.

“Ne nuk kemi asnjë interes për një konflikt me Sirinë. Ne do të përcaktojmë politikën e Izraelit ndaj Sirisë sipas realitetit që po shfaqet në terren.”, shtoi kryeministri izraelit.

“Siria nuk është e njëjta Siri,” u shpreh ai, duke argumentuar se Izraeli po ndryshon Lindjen e Mesme. “Libani nuk është i njëjti Liban, Gaza nuk është e njëjta Gaza dhe udhëheqësi i boshtit – Irani – nuk është i njëjti Iran”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!