Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar një raportim të ri të revistës amerikane The Atlantic, sipas të cilit kreu i inteligjencës egjiptiane kishte udhëtuar drejt Izraelit vetëm 11 ditë para sulmit të Hamasit, më 7 tetor 2023, për të paralajmëruar autoritetet izraelite për përgatitjen e një sulmi të madh.
Zyra e Netanyahut e cilësoi pretendimin si të rremë dhe tha se ai ishte mohuar edhe në atë kohë, ndërsa tani, sipas saj, po rikthehet në qarkullim në një përpjekje për të manipuluar opinionin publik izraelit. Në deklaratë thuhet gjithashtu se më 11 tetor 2023, Egjipti kishte mohuar zyrtarisht se i kishte dhënë Izraelit ndonjë paralajmërim për sulmin e 7 tetorit.
Zyra e kryeministrit Izraelit theksoi se Netanyahu nuk është takuar dhe nuk ka komunikuar me Abbas Kamel, atëherë kreu i shërbimit të inteligjencës egjiptiane, në muajt para sulmit. Sipas zyres se kryeministrit Izraelit , asnjë zyrtar i inteligjencës izraelite nuk i kishte përcjellë kryeministrit një paralajmërim të tillë. Reagimi i Izraelit erdhi pas një hetimi të publikuar nga The Atlantic, sipas të cilit Abbas Kamel mbërriti në aeroportin Ben Gurion më 26 shtator 2023, me një avion Cessna të lidhur me shërbimet egjiptiane të inteligjencës.
Sipas revistës amerikane, avioni qëndroi në Izrael rreth 67 minuta, ndërsa Kamel u takua me zyrtarë izraelitë dhe përcolli shqetësimin se Hamasi po përgatitej për një sulm të madh. Raportimi bazohet në burime izraelite, egjiptiane, arabe, amerikane dhe europiane, të cilat, sipas The Atlantic, ishin informuar për vizitën pas sulmit të 7 tetorit. Megjithatë, vetë revista thekson se nuk është e qartë se me cilët zyrtarë izraelitë u takua Kamel. Po ashtu, sipas raportimit, ai nuk kishte dhënë një datë konkrete për sulmin, objektiva apo detaje specifike për operacionin që Hamasi do të ndërmerrte më pak se dy javë më vonë. Sipas The Atlantic, Kamel i kishte kërkuar gjithashtu Izraelit të bënte lëshime ekonomike ndaj Hamasit, me synimin për të shmangur përshkallëzimin në Gaza.
Debati rikthen në vëmendje pyetjen se çfarë informacioni kishin autoritetet izraelite për përgatitjet e Hamasit para 7 tetorit dhe se si u trajtuan paralajmërimet e mundshme në ditët dhe javët përpara sulmit.

