Netanyahu: E nxituar të thuhet se u arrit marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve

schedule23:36 - 29 Shkurt, 2024

schedule 23:36 - 29 Shkurt, 2024

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se është e nxituar të thuhet se Tel Avivi ka arritur një marrëveshje për një shkëmbim të burgosurish me Hamasin.

“Ne kërkojmë të dimë paraprakisht emrat e të gjithë të burgosurve që do të jenë pjesë e marrëveshjes së mundshme. Unë nuk mund të bëj një angazhim në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje në këtë moment”, tha Netanyahu në një konferencë për media, duke shtuar se Tel Avivi “nuk do ta ndërpresë luftën kundër Hamasit.

Kryeministri izraelit kërkoi të rrisë rekrutimin ushtarak dhe të miratojë një ligj për të mbështetur ushtrinë.

Derisa bisedimet për një marrëveshje për lirimin e pengjeve vazhdojnë me ndërmjetësimin e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit, të hënën presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli do të ndalojë luftën kundër Gazës gjatë muajit të Ramazanit nëse arrihet një marrëveshje.

Grupi palestinez Hamas, që besohet se mban mbi 130 pengje izraelite, po kërkon t’i jepet fund sulmit të Izraelit në Gaza në këmbim të çdo marrëveshjeje pengjesh. Një marrëveshje e mëparshme në nëntor të vitit 2023 çoi në lirimin e 81 pengjeve izraelite dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezëve, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur, sipas Tel Avivit, u vranë më pak se 1.200 njerëz. Që atëherë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!