Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se çdo anëtar i Hamasit ishte “një i vdekur” pas takimit të parë të qeverisë së jashtëzakonshme të vendit të tij. Krahas tij, figura e opozitës Benny Gantz tha se ishte “koha për luftë”.
Por presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte folur me Netanyahun dhe e bëri të qartë se Izraeli duhet të “operojë sipas rregullave të luftës”. Numri i të vdekurve në Izrael ka arritur në 1200. Më shumë se 1100 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.
Biden tha se e kuptonte zemërimin dhe zhgënjimin e popullit izraelit, por i kërkoi Izraelit t’u përmbahej parimeve të konventave të Gjenevës. Ai gjithashtu paralajmëroi Iranin, i cili e ka mirëpritur sulmin e Hamasit, të jetë i kujdesshëm.
Më herët të mërkurën, Netanyahu dhe Gantz ranë dakord të linin mënjanë një rivalitet të ashpër politik që ishte përshkallëzuar në protesta të gjera.
Gantz u tha qytetarëve izraelitë se qeveria e sapoformuar ishte “e bashkuar” dhe e gatshme për të “fshirë këtë gjë të quajtur Hamas nga faqja e dheut”.
/abcnews.al