Netanyahu: Armatimi i Hezbollahut ndodhet pranë një depoje të gazit në Bejrut

schedule22:44 - 29 Shtator, 2020

schedule 22:44 - 29 Shtator, 2020

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi të martën grupin militant Hezbollah të Libanit për prodhimin e armëve pranë një “stacioni karburanti” në Bejrut, duke paralajmëruar për “një tjetër tragjedi” nëse ndodh ndonjë shpërthim.

Izraeli ka akuzuar vazhdimisht lëvizjen shiite Hezbollah, të mbështetur nga armiku i Izraelit, Irani, për ndërtimin e raketave për të sulmuar shtetin hebre.

Në një fjalim përmes videos nga Jerusalemi, transmetuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Netanyahu paraqiti një hartë me koordinata që ai tha se tregonin një “depo sekrete armësh” në rrethinat jugore të Bejrutit.

Bejruti është ende duke u rimëkëmbur nga një shpërthim i 4 gushtit kur një rezervë e madhe me kimikate shpërtheu në portin e qytetit, duke vrarë më shumë se 190 njerëz, plagosur mijëra të tjerë dhe duke shkatërruar pjesë të mëdha të qytetit.

Fabrika e pretenduar e armëve është “disa metra larg një stacioni karburanti” në njërën anë dhe 50 metra nga një “kompani gazi” në anën tjetër.

Vendi është gjithashtu afër aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit.

Netanyahu tregoi detaje të dy vendeve të tjera të pretenduara të prodhimit të raketave, në lagjet Lajlaki dhe Çoueifat të Bejrutit, të cilat ai tha se ndodheshin nën ndërtesa apartamentesh, raporton AFP.

“Unë u them popullit të Libanit se Irani dhe Hezbollahu qëllimisht ju kanë vënë në rrezik të madh ju dhe familjet tuaja”, tha Netanyahu.

Izraeli dhe Libani janë teknikisht në një gjendje lufte dhe kufiri i tyre i përbashkët, mbikqyret nga një forcë e Kombeve të Bashkuara. Në atë rajon shpesh ndodhin incidente.

Izraeli gjithashtu ka kryer dhjetëra sulme ajrore në caqet e Hezbollahut në Sirinë fqinje, ku grupi po lufton së bashku me qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad.

Hezbollahu, si tërësi, konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli, Arabia Saudite dhe disa vende tjera të Bashkimit Evropian./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!