Nesër betejë me të rinjtë e Kukësit, Cungu grumbullon Shqipërinë U19

schedule13:35 - 5 Maj, 2021

schedule 13:35 - 5 Maj, 2021

Kombëtarja shqiptare U-19 do të zhvillojë të enjten, 6 maj 2021, një ndeshje miqësore me ekipin e Kukësit U-21. Takimi do të luhet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe do të nisë në ora 10:00. Trajneri Armando Cungu ka ftuar për këtë test 20 lojtarë të vitlindjes 2003, të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar.

Që nga fillimi i këtij viti, kur ka marrë edhe drejtimin e përfaqësueses së 19-vjeçarëve, Cungu ka zhvilluar disa seleksionime me lojtarë të talentuar të kësaj grup-moshe, që vijnë kryesisht nga ekipet shqiptare, pasi pandemia Covid-19 e ka bërë të pamundur afrimin e elementëve të rinj, të cilët aktivizohen në klubet e huaja.

Stafi teknik ka krijuar tashmë një ide më të qartë për organikën që ka në dispozicion dhe në mungesë të aktiviteteve zyrtare po përpiqet të organizojë sa më shumë miqësore për të pasur skuadrën gati në çdo moment.

 

Tekniku kuqezi, Armando Cungu, shprehet se miqësore të tilla do ta ndihmojnë skuadrën që të masë forcat dhe të shohë nivelin real të kapaciteteve, ndërsa shton se për momentin fokusi është te elementët vendas të kësaj grupmoshe.

“Prej muajsh ne kemi punuar dhe kemi përzgjedhur lojtarët që aktivizohen në kampionatin shqiptare të vitlindjes 2003, duke krijuar një grup më të ngushtë me elementët më premtues. Tani është momenti për të bërë testime më konkrete nëpërmjet ndeshjeve miqësore me skuadra të një niveli po themi më të lartë në aspektin e konkurrencës për të parë më qartë mundësitë dhe ata çfarë mund të japin këto lojtarë për ekipin kombëtar.

Aktualisht, duke mos pasur mundësi për të afruar lojtarët që aktivizohen në klube të huaja ne jemi fokusuar te lojtarët që militojnë në kampionatin shqiptar”, – thotë Cungu për Fshf.org.

 

Gjithashtu, trajner i Kombëtares U-19 shprehet se kjo punë sistematike e bërë deri më tani do të vazhdojë deri në momentin që situata të rikthehet në normalitet dhe të rifillojnë aktivitetet ndërkombëtare të UEFA-s.

“Le të themi që faza e seleksionimeve mund të quhet e përfunduar dhe tani po përpiqemi të gjejmë sa më shumë rivalë për të organizuar ndeshje miqësore, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe me skuadra jashtë vendit. Sigurisht është një situatë e vështirë për momentin në këtë aspekt, por ne do të bëjmë maksimumin që Kombëtarja U-19 të jetë e angazhuar vazhdimisht, duke mbajtur nën vëzhgim të gjithë lojtarët që kanë një perspektivë të mirë.

Them se është bërë një punë e mirë në evidentimin e elementëve të rinj deri tani dhe shpresoj të vazhdojmë kështu deri në momentin që gjithçka të kthehet në normalitet dhe të mund të marrim pjesë në aktivitete zyrtare europiane”, – deklaroi ndër të tjera trajneri Armando Cungu. Më poshtë, edhe lista e plotë me emrat e 20 lojtarëve të Kombëtares U-19 që do të grumbullohen për ndeshjen miqësore ndaj Kukësit U-21. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!